Libani raporton për katër të vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë një fëmijë - NACIONALE

Libani raporton për katër të vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë një fëmijë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Forcat izraelite të hënën vranë katër njerëz, përfshirë një fëmijë, në pjesën jugore të Libanit, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit, duke e cituar Ministrinë e Shëndetësisë, përmes dy sulmeve për të cilat ushtria izraelite tha se kishin në shënjestër anëtarë të grupit Hezbollah.

Në një incident tjetër, forcat izraelite kapën një zyrtar të grupit Jama’a Islamiya, gjatë një bastisjeve, sipas këtij grupi dhe Hezbollahut. Ushtria izraelite e përshkroi personin si “terrorist të lartë” dhe tha se ai u dërgua në Izrael për t’u marrë në pyetje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Izraeli ka kryer sulme të rregullta në Liban që nga lufta e vitit 2024 me Hezbollahun, duke vrarë rreth 400 njerëz që nga arritja e një armëpushimi, sipas shifrave të burimeve libaneze të sigurisë.

Tre prej viktimave të hënën, përfshirë një fëmijë 3-vjeçar, u vranë nga një sulm ajror izraelit në fshatin Yanouh, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve, duke e cituar Ministrinë e Shëndetësisë.

Ushtria izraelite tha se kishte vrarë një militant të Hezbollahut përmes një sulmi në zonën e fshatit Yanouh, duke e identifikuar atë si shef të artilerisë së Hezbollahut në zonë dhe duke thënë se ai kishte kryer disa sulme ndaj Izraelit gjatë luftës dhe ishte duke punuar për rehabilitimin e kapaciteteve të artilerisë të Hezbollahut.

Ushtria izraelite tha se ishte “e vetëdijshme për pretendimin se u vranë civilë të papërfshirë”, se ishin ndërmarrë masa për ta parandaluar dëmin ndaj civilëve përfshirë përdorimin e municionit preciz dhe vëzhgimit, si dhe se shpreh keqardhje për dëmin ndaj civilëve të papërfshirë. “Incidenti është duke u analizuar” – tha ushtria.

I vrari i katërt ishte në fshatin kufitar, Aita al-Shaab, ku Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se një burrë u vra nga zjarri i armëve izraelite.

Ushtria izraelite tha se trupat e saj “eliminuan një terrorist të Hezbollahut” në Aita al-Shaab, duke thënë se ai ishte “i përfshirë në grumbullimin e inteligjencës rreth trupave izraelite dhe operoi për ta rehabilituar infrastrukturën terroriste të Hezbollahut”./Nacionale

Lajme të ngjashme