“Lëre Putinin të futet”; “Është bërë si palestinez”: Trumpi e Bideni përplasen për Ukrainën e Gazën
Me më shumë se dhjetë përmendje për një orë e gjysmë, presidenti rus, Vladimir Putin, ishte në mënyrë të përsëritur “i pranishëm” në debatin mes demokratit Joe Biden e republikanit Donald Trump të enjten në mbrëmje në ShBA. U diskutua edhe për luftën mes Izraelit e Hamasit në Gaza.
“Nëse do të kishim një president të vërtetë, presidentin që… respektohej nga Putini, ai kurrë nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën” – tha Trumpi, duke iu referuar Bidenit e duke nisur një varg përplasjesh mes dy kandidatëve për luftërat në Ukrainë dhe Gaza, raporton agjencia “Reuters”.
“Vazhdo, lëre Putinin të futet dhe ta kontrollojë Ukrainën, dhe pastaj të vazhdojë në Poloni dhe në vende të tjera. Shiko se çfarë ndodh pastaj. Ai nuk e ka idenë se çfarë dreqin po flet” – tha Bideni për Trumpin.
Diskutimi mes dy rivalëve për konfliktin në Ukrainë u mbizotërua nga temat se si t’i jepet fund luftës, për përkrahjen e ShBA-së për NATO-n dhe nëse shtetet evropiane janë duke kontribuuar mjaftueshëm në përpjekjen kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Vetë presidenti rus më parë ka shprehur indiferencë ndaj rezultatit të zgjedhjeve në ShBA.
“Në parim, ne nuk mërzitemi [se kush fiton]. Për ne, nuk mendojmë se rezultati përfundimtar çon shumë peshë. Ne do të punojmë me cilindo president që populli amerikan e zgjedh” – kishte thënë Putini më herët këtë muaj, kur ishte pyetur nga agjencia “Reuters” nëse besonte se rezultati në zgjedhjet e ShBA-së do të bënte një dallim për Moskën.
Kur amerikanët t’u drejtohen kutive të votimit më 5 nëntor, shumë prej tyre do t’i llogarisin çështjet e politikës së jashtme, si Ukrainën e Izraelin, përpos shqetësimeve brenda vendit rreth emigrantëve, abortit dhe ekonomisë.
Sa i përket luftës së Izraelit në Gaza, Bideni e çmoi planin e tij për armëpushim dhe deklaroi se askush në botë nuk kishte qenë mbështetës më i madh i Izraelit se Shtetet e Bashkuara. “Ne e shpëtuam Izraelin” – tha ai.
Në anën tjetër, Trumpi e përsëriti pretendimin e tij se “Izraeli nuk do të pushtohej kurrë, në një milion vjet, nga Hamasi”, nëse ai do të kishte qenë president.
Për Bidenin, Trumpi tha: “Ai është bërë si palestinez, por atyre nuk u pëlqen, sepse ai është palestinez shumë i keq. Është i dobët.”/Nacionale