Lavrovit s’i pëlqen Vatikani si vend për bisedime: Zgjedhje joelegante për shtetet ortodokse
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, mësa duket nuk po e pëlqen propozimin që bisedimet mes vendit të tij e Ukrainës të zhvillohen në Vatikan.
Kryediplomati rus argumentoi se nuk do të ishte “zgjedhje elegante” që dy shtete me shumicë ortodokse të mbanin bisedime në një vend të krishterë, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Do të ishte paksa joelegante që shtetet ortodokse të diskutojnë në tokë katolike çështje që lidhen me eliminimin e shkaqeve rrënjësore (të luftës)” – citohet të ketë thënë Lavrovi, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Ai gjithashtu e akuzoi Ukrainën se e ka “shkatërruar” Kishën Ortodokse Ukrainase dhe shtoi: “Për vetë Vatikanin do të ishte jo e rehatshme që në këto rrethana të priste delegacione nga shtete ortodokse.”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha para disa ditëve se Vatikani, Turqia dhe Zvicra ishin duke u shqyrtuar si vende të mundshme ku do të zhvilloheshin bisedime me Rusinë, Shtetet e Bashkuara e vendet evropiane.
“Ne po i synojmë të gjitha këto tri vende, pasi të tria këto shtete, të tria këto vende janë të mira” – tha ai.
“Nuk do të thosha tani se cila do të jetë më e rehatshme. Kjo nuk ka të bëjë me rehatinë, ka të bëjë me atë se kush mund ta organizojë këtë (takim) me një rezultat përkatës të takimit. Besoj se do të kemi një përgjigje së shpejtoi” – shtoi Zelensky./Nacionale