Kryeministrja e Danimarkës shkon në Grenlandë për shfaqje të mbështetjes pas krizës me Trumpin
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e vizitoi të premten Grenlandën si shfaqje e mbështetjes për ishullin e Arktikut, të cilin presidentin amerikan, Donald Trump, dëshiron ta aneksojë.
Duke zbritur nga aeroplani në aeroportin e kryeqytetit të Grenlandës, Nuuk, zonja Frederiksen u përshëndet nga homologu Jens-Frederik Nielsen. Dy politikanët u panë duke u përqafuar në pistë para se të largoheshin me automjete, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryeministrja daneze fluturoi me aeroplan drejtpërdrejt për në Nuuk nga Brukseli, pasi u takua me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, më herët gjatë ditës për të diskutuar se si aleanca ushtarake mund ta forcojë sigurinë në rajonin e Arktikut.
Grenlanda është territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Dy qeveritë thonë se ishulli nuk është në shitje dhe se sovraniteti i tij nuk është për t’u diskutuar, por janë të hapura për bisedime rreth temave të tjera, si siguria dhe zhvillimi ekonomik.
“Ne jemi duke i përgatitur hapat e ardhshëm” – tha para gazetarëve zonja Frederiksen, përderisa po ecte krahas homologut Nielsen në pjesën qendrore të qytetit Nuuk. “Unë jam këtu në rend të parë për ta shfaqur mbështetjen tonë të fuqishme për popullin e Grenlandës në këtë kohë të vështirë” – shtoi ajo.
Trumpi tha të enjten se kishte siguruar qasje të plotë dhe të përhershme të Shteteve të Bashkuara në Grenlandë pas bisedimeve me Rutten, i cili tha se aleatët duhet t’i shtojnë përpjekjet për t’iu kundërvënë rreziqeve nga Rusia e Kina.
Ushtrisë amerikane tashmë i lejohet qasje e gjerë në Grenlandë sipas traktateve, edhe pse Uashingtoni e ka zvogëluar praninë e vet atje që nga Lufta e Ftohtë, duke mbajtur aktive vetëm një bazë të vogël.
E ardhmja e ishullit ka shkaktuar një krizë në marrëdhëniet transatlantike, pasi Trumpi kishte kërkuar që Grenlanda të bëhej pjesë e territorit të Shteteve të Bashkuara, kishte refuzuar që ta përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake dhe njoftoi taksa të reja ndaj shteteve evropiane që ishin kundër këtyre synimeve të Shtëpisë së Bardhë./Nacionale