Kolonët izraelitë ua vënë flakën një depoje, një fshati beduinësh dhe tokës bujqësore në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Kolonët izraelitë ua vënë flakën një depoje, një fshati beduinësh dhe tokës bujqësore në Bregun Perëndimor

4 javë më parë

nga NACIONALE

Dhjetëra kolonë izraelitë kryen sulme me zjarrvënie kundër një depoje palestineze, një fshati beduin dhe tokës bujqësore në pjesën veriore të Bregut të pushtuar Perëndimor të martën.

Disa palestinezë u lënduan. Këto janë incidentet më të reja në kohën kur dhuna nga kolonët është shtuar, pikërisht në periudhën e vjeljes së ullinjve, kur palestinezët shkojnë në tokat e tyre bujqësore përreth qytezave e fshatrave, raporton televizioni BBC.

Këto incidente vijnë pasi zyra humanitare e OKB-së tha se numri i sulmeve të dhunshme nga kolonët muajin e kaluar ishte më i larti që nga koha kur ky institucion e filloi grumbullimin e shifrave para gati 20 vjetëve.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime për 700 mijë hebrenj që nga pushtimi i Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor gjatë luftës së vitit 1967. Këto vendbanime janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Pamjet nga rastet e së martës shfaqin dhjetëra burra të maskuar në një kodër në lindje të qytetit Tulkarm. Një depo palestineze në Beit Lid u sulmua. Kamionëve iu vu flaka.

Tendat mund të shihen duke u djegur në fshatin beduin Deir Sharaf, ndërsa në prapavijë dëgjohen zërat e grave duke bërtitur.

Ministri i Autoritetit Palestinez, Muayyad Shaaban, tha se këto sulme ishin pjesë e një fushate për të imponuar “një mjedis armiqësor përmes frikësimit dhe terrorit”./Nacionale

Lajme të ngjashme