Japonia paralajmëron për “epokë të re krize”, kërkon buxhet rekord të mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë ka paralajmëruar se rajoni Azi – Paqësor është duke u ballafaquar me “mjedisin më të rëndë dhe kompleks të sigurisë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”.
Para disa ditëve, kjo ministri kërkoi buxhet rekord prej 8,5 trilionë jenësh (59 miliardë dollarë amerikanë) për vitin e ardhshëm për ta fuqizuar aftësinë parandaluese, raporton Radio “Azia e Lirë”.
Në atë që njihet si letra e bardhë, ku paraqitet plani i Japonisë për fushën e mbrojtjes, u publikua të martën. Në raportin “Mbrojtja e Japonisë 2024”, ministri i Mbrojtjes, Minoru Kihara, tha se komuniteti ndërkombëtar ka hyrë në “një epokë të re krize” dhe është duke u ballafaquar me “testin më të madh” që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kitara e veçoi Kinën, shtet që ka qenë duke e fuqizuar ushtrinë dhe i ka shpeshtuar aktivitetet ushtarake në Detin Lindor të Kinës dhe në Oqeanin Paqësor, duke e cilësuar si njërën nga sfidat më të mëdha strategjike për Japoninë, bashkë me Korenë e Veriut dhe Rusinë.
Ministria vlerësoi se Kina ka qenë “duke i intensifikuar ndryshimet ndaj status-kuosë me forcë” në tërë rajonin përreth Japonisë, përfshirë Detin Jugor të Kinës dhe Detin Lindor të Kinës.
Japonia ka frikë se një konflikt i armatosur për Tajvanin, që Kina e konsideron provincë që duhet të ribashkohet, do ta kaplonte edhe Japoninë. Tokioja ka dislokuar më shumë trupa dhe pajisje ushtarake në ishujt e vet periferikë, afër Tajvanit.
Politika japoneze e mbrojtjes është që të vazhdohet ndërtimi i kapaciteteve, sidomos i kundërpërgjigjes nga pjesa e jashtme e zonës së rrezikut, duke përdorur sisteme të integruara ajrore e raketore, si dhe të fuqizohet bashkëpunimi me aleatë e partnerë.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara është shtyllë kyçe e politikës kombëtare të Japonisë për siguri” – thuhet në planin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke theksuar se të dyja vendet “janë të pajtimit që prioriteti më i lartë është... të parandalohen ndryshimet ndaj status-kuosë me forcë”, referencë për Kinën dhe Rusinë, pa ua përmendur emrat.