Izraeli po shqyrton operacion të zgjeruar në Siri, nëse zbulon se forcat siriane shtien drejt ushtarëve të tij - NACIONALE

Izraeli po shqyrton operacion të zgjeruar në Siri, nëse zbulon se forcat siriane shtien drejt ushtarëve të tij

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite është duke shqyrtuar një operacion të zgjeruar në jug të Sirisë, nëse merr vesh se forcat qeveritare siriane ishin të përfshira në të shtënat kundër ushtarëve të saj gjatë një operacioni arrestimi në jug të Sirisë të premten herët në mëngjes, tha televizioni “Channel 13” në një raport pa burime.

Sipas këtij medium, ushtria izraelite mund të kryejë më pak operacione arrestimesh kundër operativëve që janë aktivë afër kufirit dhe, në vend të tyre, t’i shtojë sulmet ajrore për t’i eliminuar caqet, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Televizioni publik izraelit, “Kan TV”, raportoi se Izraeli ka marrë vesh se disa prej atyre që po planifikojnë sulme kundër ushtarëve izraelitë dhe komunitetit druze në jug të Sirisë punojnë për forcat e inteligjencës të Qeverisë siriane. Nga raporti nuk ishte e qartë se në çfarë shkalle ishin të përfshirë ata brenda Qeverisë dhe nëse veprimet e tyre kundër Izraelit janë të njohura për autoritetet siriane.

Ushtria izraelite tha se trupat e saj u ballafaquan me zjarr të premten herët në mëngjes në fshatin sirian, Beit Jinn, rreth shtatë kilometra në lindje të kufirit, pasi arrestuan dy pjesëtarë të grupit al-Jama’a al-Islamiyya, duke vepruar sipas të dhënave të inteligjencës të mbledhura në javët e fundit, të cilat tregonin se dy vëllezër po planifikonin sulme ndaj Izraelit.

Ushtria tha se trupat u kundërpërgjigjën me zjarr dhe Forca Ajrore e Izraelit gjithashtu ofroi përkrahje me sulme nga helikopterët e dronët. Sipas ushtrisë, edhe aeroplanët luftarakë kryen disa sulme ndaj caqeve të paracaktuara.

Gjashtë ushtarë izraelitë mbetën të plagosur, tre prej tyre seriozisht.

Sipas mediave siriane, të paktën 13 njerëz u vranë nga sulmet izraelite. Ushtria izraelite tha se kishte vrarë disa të armatosur gjatë luftimeve, pa saktësuar ndonjë numër.

Lajme të ngjashme