Izraeli nxjerr video të ndjeshme: Militanti i Hamasit vrau një grua që ishte dorëzuar
Izraeli të hënën publikoi pamje të kamerave të sigurisë nga 7 tetori, ku militantët e Hamasit shihen duke hyrë në territorin e këtij shteti e duke ndjekur njerëz që po merrnin pjesë në një festival muzikor. Një burrë i armatosur shihet duke ekzekutuar një grua nga afërsia.
Autoritetet izraelite po synojnë që t’iu kundërvihen kritikave ndërkombëtare për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit, e cila nxiti luftë shkatërruese në Gaza. Pavarësisht shtimit të thirrjeve për armëpushim, Izraeli ka thënë se do ta vazhdojë fushatën ushtarake deri në çrrënjosjen e Hamasit, raporton agjencia “Reuters”.
“Kjo është luftë mes së mirës dhe të ligës”- thuhet në përshkrimin e videos së publikuar nga një llogari në X, e lidhur me Ministrinë e Jashtme të Izraelit.
Në video shihen njerëz duke vrapuar për të ikur nga burrat e armatosur të Hamasit gjatë një festivali afër kufirit më 7 tetor, që ishte shndërruar në masakër.
Në fund të videos, në prapavijë, njëra nga gratë që po ndiqej ulet në tokë, ndërsa një burrë i armatosur shihet pranë saj. Pak çaste më vonë, i armatosuri e ngre armën e gjatë dhe nga afërsia e qëllon gruan, e cila mbetet e shtrirë.
Videoja nuk ka zë, por në pamje shihet pluhuri që ngrihet pas tërheqjes së këmbëzës së armës nga i armatosuri. Gruaja nuk u identifikua me emër.
Agjencia “Reuters” e ka vërtetuar vendin që shihet në video, afër Kibbutz Alumim, përmes pamjes së rrugës, drurëve dhe një ndërtese aty afër, që përputhet me pamjet satelitore të zonës.
Paralajmërim: Pamjet e mëposhtme nuk preferohen për persona të ndjeshëm dhe/ose ata nën moshën 18-vjeçare.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli