Izraeli nuk sheh siguri se qeveria iraniane do të bjerë pavarësisht luftës - NACIONALE

Izraeli nuk sheh siguri se qeveria iraniane do të bjerë pavarësisht luftës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët izraelitë në diskutime të mbyllura kanë pranuar se nuk ka siguri se lufta kundër Iranit do ta sjellë rrëzimin e klerikëve nga pushteti, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë izraelit, kur nuk ka shenja për ndonjë kryengritje iraniane në kohën e bombardimeve.

Megjithatë, pavarësisht komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, se lufta mund të përfundojë së shpejti, vlerësimi i Izraelit është se Uashingtoni nuk është afër dhënies së udhëzimit për t’i dhënë fund konfliktit, thanë dy zyrtarë izraelitë.

Zyrtari i lartë izraelit nuk tregoi se çfarë po e shtyn Izraelin që të vlerësojë se rrëzimi i pushtetit aktual në Iran nuk është gjë e sigurt.

Në ditën kur Izraeli e nisi luftën e përbashkët ajrore me Shtetet e Bashkuara, kryeministri Benjamin Netanyahu tha: “Veprimi ynë i përbashkët do t’i krijojë kushtet që populli trim iranian ta marrë fatin e tij në duart e veta.”

Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar të martën, Netanyahu përsëri tha se edhe pse aspirata e Izraelit është që t’i ndihmojë iranianët “të lirohen nga zgjedha e tiranisë”, kjo në fund “u përket atyre” – pranim në dukje i faktit se një kryengritje nuk duket se është afër.

Në një takim me dyer të mbyllura me diplomatë të huaj të martën, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, refuzoi që të përcaktonte një kornizë kohore për fushatën ushtarake.

Saari pranoi në takim se qeveria iraniane mund t’i mbijetojë luftës, por shprehu besim se ajo mund të bjerë më vonë, thanë burimet.

Duke folur me gazetarë të martën, kryediplomati izraelit tha se lufta do të vazhdojë derisa Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të vlerësojnë se ka ardhur koha për t’u dhënë fund armiqësive, por se Izraeli nuk synon “luftë të pafundme”./Nacionale

Lajme të ngjashme