Izraeli dhe BE-ja arrijnë marrëveshje për shtimin e ndihmave humanitare në Gaza
Kur janë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza këtë javë, Izraeli dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një pakt për ta shtuar në masë domethënëse rrjedhën e ndihmave humanitare drejt enklavës së rrënuar nga lufta. Rritja e dërgesave ditore pritet ditëve në vijim, raporton mediumi “Bloomberg”.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ndërmjetësoi për arritjen e kësaj marrëveshjeje, me të cilën do të mundësohet edhe rihapja e disa korridoreve të ndihmave, përfshirë rrugët humanitare përmes Egjiptit dhe Jordanisë, si dhe disa pikëkalimeve të tjera në pjesët veriore dhe jugore të Gazës, thuhet në raportin ku citohet një burim anonim i afërt me çështjen, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Furrat dhe kuzhinat publike në Gaza gjithashtu do ta rinisin punën, ndërsa edhe dërgesat me karburant për objektet humanitare pritet të rifillojnë, thuhet më tej në raport.
Zëdhënësit e Qeverisë së Izraelit dhe Komisionit Evropian nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment, shkruan mediumi “Bloomberg”.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka bërë disa herë komente në javët e fundit, duke njoftuar se vendi i tij është duke punuar me Bashkimin Evropian për përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së ndihmave.
Mekanizmi i tanishëm udhëhiqet nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili mbështetet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, por operacionet e të cilit janë kritikuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.
Në raportin e mediumit “Bloomberg” nuk sqarohet se cilat organe do ta zbatojnë zgjerimin e operacioneve për shpërndarjen e ndihmave./Nacionale