Italia e dënon me burgim të përjetshëm vrasësin e ish të dashurës, Filippo Turetta - NACIONALE

Italia e dënon me burgim të përjetshëm vrasësin e ish të dashurës, Filippo Turetta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Filippo Turetta, burri që ishte rrëfyer për vrasjen e ish të dashurës së tij vitin e kaluar, rast që e kishte shokuar Italinë dhe kishte nxitur debat kombëtar rreth dhunës kundër grave, të martën u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Vendimi u mor nga një gjykatë në Venecia. Ai mund të apelohet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trupi i studentes 22-vjeçare, Giulia Cecchettin, u gjet i hedhur afër një liqeni me shumë plagë therjeje në nëntor të vitit 2023. Ajo ishte zhdukur për një javë, pasi kishte dalë me ish-partnerin.

Turetta, i cili kishte ikur me veturë në Gjermani, ishte rrëfyer për vrasjen pas arrestimit dhe ekstradimit në Itali. Prokurorët e kishin kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për 22-vjeçarin, ndërsa mbrojtja e kishte pranuar fajin e tij, por kishte bërë apel për dënim më të lehtë.

Pas vrasjes, babai dhe motra e gruas së vrarë, Gino dhe Elena, janë bërë figura publike si aktivistë kundër dhunës gjinore. Në Itali janë mbajtur tubime dhe protesta për ta nderuar studenten e vrarë.

Duke folur para gazetarëve afër gjykatës, Gino Cecchettin tha se e respekton vendimin, por shtoi se kjo masë nuk ofron ngushëllim apo shfajësim për humbjen e të bijës.

“Mendoj se nuk luftohet dhuna gjinore me dënime me burgim, por me parandalim. Unë e pranoj vendimin, por porsa ai erdhi, kuptova që prania e të gjithë neve këtu nënkupton që të gjithë kemi humbur një betejë” – tha babai i studentes së vrarë.

Deri më 1 dhjetor, 101 gra janë vrarë këtë vit në Itali, përfshirë 53 nga një partner ose ish-partner, tha Ministria e Punëve të Brendshme. Në vitin 2023 ishin vrarë 112 gra për periudhën e njëjtë, përfshirë 67 nga një partner ose ish-partner./Nacionale

Lajme të ngjashme