Ish-presidenti rus kërcënon me sulme Evropën e ShBA-në: “Rusia e ka zgjedhur rrugën e vet, s’ka kthim” - NACIONALE

Ish-presidenti rus kërcënon me sulme Evropën e ShBA-në: “Rusia e ka zgjedhur rrugën e vet, s’ka kthim”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, aktualisht zëvendësdrejtor i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, i ka kërcënuar Evropën dhe Shtetet e Bashkuara me sulme me armë hipersonike.

“Referendumet do të mbahen dhe republikat e Donbasit e territoret e tjera do të pranohen në Rusi. Mbrojtja e të gjitha territoreve që janë bashkuar, do të jetë e fuqizuar në masë të konsiderueshme nga Forcat e Armatosura Ruse”, shkroi zyrtari i lartë rus në rrjetin “Telegram”.

“Rusia njoftoi se jo vetëm kapacitetet mobilizuese, por gjithashtu cilado armë ruse, përfshirë armët bërthamore strategjike dhe armët e mbështetura në parime të reja, do të mund të përdoren për mbrojtje të tillë”, shtoi ai.

“Prandaj, idiotë të ndryshëm të pensionuar me grada gjeneralësh nuk kanë nevojë që të na frikësojnë me fjalë për një sulm të NATO-s ndaj Krimesë. Hipersoniket janë të garantuara që të mund të arrijnë caqe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara shumë më shpejt”, shkroi më tutje ish-kryeministri rus.

“Por udhëheqësia perëndimore, në përgjithësi, të gjithë qytetarët e vendeve të NATO-s duhet të kuptojnë se Rusia e ka zgjedhur rrugën e vet. Nuk ka kthim prapa”, tha në fund në postimin social zyrtari i lartë i Putinit.

A po kërcënon Putin me luftë bërthamore?

Dje, Putin kritikoi vendet perëndimore që mbështesin Kievin dhe i akuzoi se "kërcënojnë Rusinë" dhe paralajmëroi se çdo kërcënimi ndaj integritetit territorial do t'i përgjigjet me të gjitha armët e mundshme që Kremlini i konsideron të përshtatshme.

"Vendi ynë posedon armë të ndryshme të shkatërrimit në masë dhe në disa kategori dukshëm më moderne se ato të anëtarëve të NATO-s. Ky nuk është një bllof", tha Putin.

Doktrina ushtarake ruse, kujton BBC në analizë, lejon përdorimin e armëve bërthamore taktike në rast se shteti rus kërcënohet me shkatërrim.

Rusia ka përdorur tashmë raketa hipersonike me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, të cilat fluturojnë më shpejt se 6000 km/h. Por analistët thonë se ato raketa nuk luajtën një rol kyç në luftë. Nëse, pas referendumeve të diskutueshme, Rusia pretendon se më shumë pjesë të Ukrainës i janë bashkuar Rusisë, ajo gjithashtu mund të pretendojë se është nën sulm nga forcat e NATO-s.

Kievi dhe udhëheqësit perëndimorë i përshkruan "referendumet" ruse si një përpjekje e Rusisë për të kapur një pjesë të territorit ukrainas. Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë Bridget Brink tha se "referendumet e rreme" dhe mobilizimi i pjesshëm janë "një shenjë e dobësisë ruse". Kryeministri holandez Mark Rutte e quajti lëvizjen e Putinit "një shenjë paniku".

“Retorika e tij për armët bërthamore është diçka që e kemi dëgjuar shumë herë më parë”, tha Rutte, duke shtuar se ai nuk ishte i mërzitur nga deklaratat e Putinit për armët bërthamore.

Politikanë të tjerë perëndimorë thanë gjithashtu se ata nuk e konsiderojnë kërcënimin e përshkallëzimit bërthamor veçanërisht serioz. /Nacionale

Lajme të ngjashme