Irani mburret me “metodën e re” të sulmeve: Sistemet izraelite të mbrojtjes e vunë në cak njëra-tjetrën - NACIONALE

Irani mburret me “metodën e re” të sulmeve: Sistemet izraelite të mbrojtjes e vunë në cak njëra-tjetrën

2 javë më parë

nga NACIONALE

Rojat Revolucionare të Iranit kanë thënë se në sulmin më të ri ndaj Izraelit zbatuan një metodë të re, e cila bëri që sistemet shumështresëshe izraelite të mbrojtjes ta vinin në shënjestër njëra-tjetrën, gjë që u mundësoi forcave iraniane që të godisnin me sukses shumë caqe.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment rreth sulmeve iraniane. Zyrtarë izraelitë disa herë kanë thënë se sistemi i mbrojtjes “Iron Dome” nuk është 100 për qind efikas dhe kanë paralajmëruar për ditë të vështira në vijim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Raketat iraniane i goditën qytetet Tel Aviv dhe Haifa të Izraelit para agimit të hënën, duke shkatërruar shtëpi e duke e shtuar shqetësimin në mesin e udhëheqësve botërorë në takimin e Grupit G7 këtë javë se ky ballafaqim mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal.

Të paktën pesë njerëz u vranë nga sulmet e reja iraniane, tha shërbimi emergjent kombëtar. Të paktën 100 njerëz u plagosën gjatë natës së kaluar nga sulmet iraniane, pjesë e hakmarrjes së Teheranit për sulmet izraelite që vunë në shënjestër programe bërthamore e raketore të vendit armik.

Operacionet e kërkimit dhe zbulimit të vendndodhjes po zhvilloheshin në qytetin Haifa, ku rreth 30 njerëz u plagosën, thanë autoritetet emergjente, përderisa dhjetëra punëtorë shpëtimi shkuan me nxitim në zonat e goditura. Në një qendër energjetike afër portit u pa një zjarr, sipas raportimeve të mediave.

Në video u shfaqën disa raketa në qiellin e Tel-Avivit dhe shpërthime mund të dëgjoheshin në këtë qytet dhe në Jerusalem. Disa ndërtesa banimi në një lagje me popullsi të dendur në Tel-Aviv u shkatërruan nga një sulm që i theu dritaret e hoteleve dhe shtëpive vetëm disa qindra metra larg degës së ambasadës amerikane në këtë qytet. Ambasadori amerikan tha se ndërtesa pësoi dëme të vogla, por nuk pati të lënduar në mesin e personelit.

Guydo Tetelbaun ndodhej në banesën e tij në Tel-Aviv, kur sirenat e alarmit u aktivizuan pak pas orës 4 të mëngjesit. “Si zakonisht, ne u futëm brenda (strehimores), e cila ndodhet matanë rrugës këtu. Brenda disa minutave, dera (e strehimores) u hodh në erë” – tha izraeliti me profesionin e kuzhinierit.

Raketat para agimit ranë edhe në Shuk HaCarmel, treg i popullarizuar në Tel-Aviv që zakonisht tërheq turma të mëdha banorësh dhe turistësh që blejnë pemë e perime të freskëta.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka lavdëruar ofensivën izraelite dhe i ka mohuar pretendimet e Iranit se Uashingtoni ka marrë pjesë në të, duke e paralajmëruar Teheranin që të mos vërë në shënjestër caqe amerikane.

Dy zyrtarë amerikanë thanë të premten se ushtria amerikane kishte ofruar ndihmë për të rrëzuar raketa iraniane që ishin nisur drejt Izraelit.

Presidenti amerikan ka thënë disa herë se Irani mund t’i japë fund luftës duke u pajtuar për kufizime të ashpra ndaj programit të vet bërthamor, për të cilin Teherani thotë se ka qëllime paqësore. Sidoqoftë, vendet perëndimore dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore thonë se ky program mund të përdoret për të prodhuar armë bërthamore./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme