Irani dënon dy shtetas francezë me gjithsej 63 vjet burg
Një gjykatë iraniane ka dënuar me gjithsej 63 vjet burg dy shtetas francezë nën akuzat për spiunim dhe rrezikim të sigurisë kombëtare, tha të martën sistemi gjyqësor i Iranit, në një rast që me gjasë do t’i tensionojë më tej marrëdhëniet mes Teheranit dhe Parisit.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Fars” i identifikoi të dënuarit si Cecile Kohler dhe Chuck Paris. Ata kanë qenë në mbajtje që nga viti 2022 nën akuza që Franca i ka quajtur “të pajustifikueshme dhe të pathemelta”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Dënimi i mundshëm, që mund të apelohet në Gjykatën Supreme të Iranit brenda 20 ditësh, vjen kur Teherani po u bën presion autoriteteve franceze që të lirojnë një shtetas iranian.
Gjykata Revolucionare e Iranit në Teheran, e cila zhvillon seanca prapa dyerve të mbyllura, ku të pandehurit shpesh nuk kanë mundësi që të kenë qasje në dëshmitë që gjoja janë grumbulluar kundër tyre, e lëshoi vendimin preliminar, raportoi agjencia “Mizan”. Gjykata i akuzoi dy francezët se punonin për inteligjencën franceze dhe për bashkëpunim me Izraelin.
Gjykata i dënoi dy të pandehurit me mbi 30 vjet burgim secilin, sipas agjencisë “Mizan”. Kohler dhe Paris ishin arrestuar pasi ishin takuar me mësuesit iranianë që po protestonin dhe pasi kishin marrë pjesë në një tubim antiqeveritar, kishin raportuar atëherë mediat iraniane.
Franca i kishte identifikuar dy të arrestuarit si një zyrtar të sindikatës së mësuesve dhe partnerja e tij që po i kalonin pushimet në Iran. Shqetësimi për sigurinë e tyre ishte shtuar pas luftës 12-ditore mes Iranit e Izraelit në qershor, kur Izraeli bombardoi një burg famëkeq në Teheran./Nacionale