Hegsethi thotë se lideri i ri suprem i Iranit është plagosur, me gjasë i shpërfytyruar
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, tha të premten se lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është plagosur dhe më gjasë është shpërfytyruar, duke e vënë në pikëpyetje aftësinë e Khameneit për të qeverisur pas gati dy javësh të sulmeve amerikane e izraelite ndaj Iranit.
Asnjë fotografi e Khameneit të ri nuk është publikuar që nga dita kur nga një sulm izraelit u vra një pjesë e madhe e familjes së tij, përfshirë babanë dhe bashkëshorten, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Komentet e tij të para dolën në një deklaratë të lexuar nga një prezantues në televizionin shtetëror të enjten. Në atë deklaratë, Khamenei u zotua për ta mbajtur të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe u bëri thirr vendeve fqinje që t’i mbyllin bazat amerikane në territoret e tyre, në të kundërtën rrezikonin që të viheshin në shënjestër nga Irani.
“Ne dimë se i ashtuquajturi lideri i ri jo shumë suprem është plagosur dhe me gjasë është shpërfytyruar. Ai nxori një deklaratë dje. Një [deklaratë] të dobët, në të vërtetë, por nuk pati zë dhe nuk pati video. Ishte një deklaratë e shkruar” – tha sekretari amerikan.
“Irani ka shumë kamera dhe shumë incizues zëri. Pse një deklaratë me shkrim? Mendoj se e dini pse. Babai i tij, i vdekur. Ai është i frikësuar, i lënduar, në arrati dhe i mungon legjitimiteti” – shtoi Hegsethi.
Një zyrtar iranian i tha agjencisë “Reuters” të mërkurën se lideri i ri suprem ishte lënduar lehtë, por po vazhdonte të vepronte, pasi televizioni shtetëror e përshkroi si të plagosur nga lufta.
Gjatë konferencës për gazetarë, Hegsethi tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tregojnë mëshirë në luftë.
“Ne do të vazhdojmë që të bëjmë presion, do të vazhdojmë të shtyjmë, do të vazhdojmë të avancojmë, s’ka mëshirë për armikun tonë” – paralajmëroi ai.
Ai e përdori shprehjen “no quarter”, që do të thotë refuzim për t’ia kursyer jetën dikujt që e ka shprehur synimin për t’u dorëzuar – diçka që ndalohet me ligj.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme kundër më shumë se 6.000 caqeve në Iran gjatë 14 ditëve të fundit. Nga sulmet amerikano-izraelite janë vrarë rreth 2.000 njerëz në Iran./Nacionale