Gati 200 emigrantë hynë në Poloni përmes një tuneli të fshehtë kufitar me Bjellorusinë
Më shumë se 180 emigrantë hynë në Poloni përmes një tuneli të fshehtë në një pyll në kufirin me Bjellorusinë, thanë të premten rojat kufitare.
Rreth 130 prej tyre u ndaluan në Poloni pasi tuneli u zbulua të enjten, por të tjerët janë ende në arrati, thuhet në një deklaratë të Rojës Kufitare të Polonisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Autoritetet polake publikuan një video të tunelit të hapur mes rrënjësh e dheut, i mbështetur me shtylla druri e shufra metali, vetëm 1,5 metër i lartë – jo mjaftueshëm për shumicën e njerëzve që të kalojnë nëpër të pa u kërrusur.
Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian, ka qenë duke u ballafaquar me një krizë emigrantësh në kufirin e saj me Bjellorusinë që nga viti 2021.

Varshava e ka akuzuar Minskun dhe Moskën se kanë bërë komplot për ta destabilizuar Poloninë përmes inkurajimit të të huajve, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që ta kalojnë kufirin e saj.
Bjellorusia dhe Rusia në mënyrë të përsëritur i kanë mohuar këto akuza.
Roja kufitare polake tha se ky është tuneli i katërt që e ka zbuluar këtë vit në rajonin lindor, Podlaskie.
🚨 Kolejny podkop wydrążony pod linią polsko - białoruskiej 🇵🇱-🇧🇾 granicy państwowej ❗️
— Straż Graniczna (@Straz_Graniczna) December 12, 2025
Kilkudziesięciometrowy tunel pod barierą i drogą techniczną miał około 1,5 m wysokości. Jego ukryte w lesie wejście znajdowało się około 5⃣0⃣ metrów po białoruskiej stronie granicy, wyjście… pic.twitter.com/AOzcs0sIoZ
Rojat kufitare gjithashtu ndaluan një polak 69-vjeçar dhe një lituan 49-vjeçar që kishin shkuar për t’i marrë emigrantët, thuhet më tej në deklaratë.
Në vitin 2022, Polonia e nisi punën për të ndërtuar një rrethojë kufitare me gjatësi prej 180 kilometrash.