Gana thotë se të paktën 55 njerëz i janë vrarë në luftën e Ukrainës: U joshën nga Rusia
Të paktën 55 njerëz nga Gana janë vrarë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pasi ishin joshur për t’u bërë më pas pjesë e betejave, tha kryediplomati i shtetit afrikan pas një vizite në Kiev, ku zyrtarët e diskutuan problemin e rekrutimit të afrikanëve nga Rusia.
Raportet për burra afrikanë që janë joshur nga Rusia me premtime për vende pune e që kanë përfunduar në vijën e frontit në Ukrainë janë bërë më të shpeshta muajve të fundit, duke krijuar tensione mes Moskës dhe disa prej shteteve të përfshira, raporton gazeta “The Guardian”.
Autoritetet ruse kanë mohuar se rekrutojnë qytetarë afrikanë për të luftuar në Ukrainë. Ministri i Jashtëm i Ganës, Samuel Okudzeto Ablakwa, të enjten në rrjetin X shkroi: “Ne jemi njoftuar se 272 ganezë besohet të jenë joshur për të shkuar në betejë nga viti 2022, prej të cilëve vlerësohet se 55 janë vrarë e dy janë kapur si të burgosur lufte.”
Në një konferencë për media të mbajtur të martën, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, duke qëndruar krahas homologut nga Afrika, tha se mbi 1.780 afrikanë nga 36 shtete të këtij kontinenti janë duke luftuar në ushtrinë ruse.
Gana, e cila ka lidhje ekonomike e diplomatike me Rusinë, synon që ta ngrejë vetëdijen për fushatën e rekrutimit dhe ta çmontojë “rrjetin e errët të skemave të rekrutimit që operon brenda juridiksionit tonë” - tha Ablakwa. “Kjo nuk është luftë e jona dhe nuk mund të lejojmë që të rinjtë tanë të bëhen mburoja njerëzore për të tjerët” – shtoi ai.
Ministri tha se Qeveria e Ganës do t’i intensifikojë edukimin publik dhe punën për “ta përcjellë dhe çmontuar tërë rrjetin e errët të skemave të paligjshme të rekrutimit” që operojnë në vend. Ai shtoi se dy ganezët e kapur i kanë paralajmëruar të rinjtë që të mos joshen nga masat nxitëse financiare për t’u bërë pjesë e konfliktit.