Forcat siriane hyjnë edhe në një qytet tjetër të kontrolluar nga kurdët, sipas marrëveshjes
Forcat qeveritare siriane të sigurisë të martën hynë në qytetin verilindor të kontrolluar nga kurdët, Qamishli, thanë burimet e sigurisë dhe dëshmitarët, duke zbatuar një marrëveshje të mbështetur nga ShBA-ja për t’i kthyer rajonet e drejtuara nga kurdët nën kontrollin e autoriteteve qendrore.
Me marrëveshjen e shpallur të premten u shmang rreziku për konflikte të reja mes forcave qeveritare të presidentit Ahmed al-Sharaa dhe Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të cilat humbën pjesë të mëdha territori në veri e lindje të Sirisë gjatë ballafaqimit me trupat qeveritare në janar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gazetarët e agjencisë “Reuters” thanë se autokolona u nis drejt një zone të sigurisë brenda qytetit Qamishli për bisedime me zyrtarë të lartë kurdë dhe me de fakto qendrën politike të administratës së drejtuar nga kurdët, e cila kishte marrë formë gjatë 14 vjetëve të luftës civile në vend.
Forcat qeveritare pritet të stacionohen në disa ndërtesa shtetërore qeveritare në Qamishli e gjithashtu në aeroportin e qytetit, i thanë agjencisë “Reuters” para dislokimit një zyrtar sirian dhe një burim kurd i sigurisë.
#Syria govt forces enter #Qamishli under agreement with Kurds | #AFP@AFP pic.twitter.com/ACjZj05UHJ
— Gihad Darwish (@Gihad_Darwish) February 3, 2026
Të hënën, disa automjete të Ministrisë së Mbrojtjes hynë në qytetin Hasakah, rreth 80 kilometra në jug të Qamishli-t.
Marrëveshja e 30 janarit parasheh një integrim në faza të luftëtarëve sirianë brenda forcave qeveritare. Shtetet e Bashkuara e kanë vlerësuar lart paktin, duke e cilësuar si hap të madh drejt unitetit dhe pajtimit pas luftës që e kishte ndarë vendin në disa zona të rebelëve.
Forcat Demokratike Siriane dikur ishin aleatet kryesore në Siri për Uashingtonin, duke luajtur rol jetik në luftën kundër militantëve të ISIS-it.
Sidoqoftë, pozicioni i kësaj force mori një goditje të rëndë, kur presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi që të ndërtonte marrëdhënie me homologun e ri sirian, i cili tashmë e ka rikthyer pothuajse tërë territorin e Sirisë nën autoritetin e Damaskut./Nacionale