Forcat ruse kanë depërtuar në jug të qytetit Kupianks, sipas një komandanti të tyre
Forcat ruse kanë depërtuar thellë në qytetin Kupiansk të Ukrainës dhe kanë lëvizur drejt jugut, duke kapur disa stacione të trenit, tha të martën një komandant rus në terren.
Komandanti, i cili u prezantua me nofkën “Gjahtari” dhe e identifikoi veten si udhëheqës i detashmentit sulmues të Regjimentit të Motorizuar 1486, tha se forcat e tij kishin marrë nën kontroll një depo nafte në skajin lindor të Kupianskut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një video-deklaratë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, ai tha se forcat e tij gjithashtu kishin marrë nën kontroll një varg stacionesh të trenit përgjatë hekurudhës që çon në Kupiansk Vuzlovyi, vendbanim që ndodhet rreth 6 kilometra në jug të qendrës së Kupianskut.
Sipas komandantit, forcat ruse ishin gjithashtu duke luftuar për ta pastruar stacionin e trenit në një vendbanim tjetër, Kupiansk-Sortuvalnyi.
Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte në mënyrë të pavarur raportin nga fusha e betejës.
Blogerët ushtarakë rusë publikuan të martën një video të paverifikuar në të cilën, sipas tyre, shfaqen forcat ruse duke hyrë në Pokrovsk, përgjatë një rruge të mbuluar me mjegull.
Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, në një intervistë për “New York Post”, tha se Rusia po përqendron rreth 150 mijë ushtarë në përpjekje për ta kapur Pokrovskin dhe se pjesë e këtij plani janë grupet e mekanizuara dhe brigadat e marinës.