Fjalim i fuqishëm i Zelenskyt para udhëheqësve të BE-së: Mos ia jepni Putinit fitoren e parë dhe të vetme
Duke iu drejtuar udhëheqësve të 27 vendeve të BE-së përmes video-lidhjes, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi nga ta që “të mos bien në mosvendimmarrje sot” dhe të mos e tradhtojnë besimin ndaj Evropës.
“Kjo ditë do të hyjë në historinë tonë. Qoftë mirë apo keq për ne, historia do të kapë gjithçka. Secilën fjalë, secilin hap, secilin veprim dhe mosveprim. Kush luftoi për çka”- tha Zelensky.
“Është e rëndësishme që Evropa të mos bjerë në mosvendimmarrje sot. Askush nuk dëshiron që Evropa të shihet si e pabesueshme ose si e paaftë për të marrë vendime që i ka përgatitur vetë”- shtoi ai.
Presidenti ukrainas theksoi se, sipas pikëpamjes së tij, Kievi i ka kryer detyrat e shtëpisë, raporton gazeta "The Guardian".
“Po flasim për një vendim që ishte premtuar dhe unë nuk kam dëgjuar asnjë kundërargument për atë se pse ne nuk duhet ta zbatojmë planin për të cilin është pajtuar tërë Evropa. Vitin e kaluar, Ukraina pranoi rekomandime të qarta se si të lëvizte përpara. Ne i kemi miratuar ligjet kyçe. Ju të gjithë – dhe theksoj: të gjithë – e dinit mirë se ne e përmbushëm secilin detyrim”- tha më tej Zelensky.
Ai kërkoi që Evropa t’i mbajë premtimet e veta.
“Sot kërkoj nga ju një gjë – mos i tradhtoni njerëzit dhe besimin e tyre ndaj Evropës. Nëse askush nuk i beson Evropës, çfarë do ta mbajë gjallë Bashkimin Evropian?- pyeti udhëheqësi ukrainas.
“Njerëzit në Evropë nuk do të shohin asnjë përfitim, nëse Moska merr leje kalimi nga Brukseli në formën e negativitetit ndaj Ukrainës”- paralajmëroi ai.
“Putini sigurisht do ta përdorë këtë kundër jush personalisht dhe kundër tërë Evropës. Mos ia jepni atij fitoren e parë – dhe të vetme – të vitit. Evropa duhet të fitojë, marrëveshjet duhet të respektohen dhe fjalët duhet të çojnë peshë”- shtoi Zelensky.