Familja mbretërore e Abu Dabit do të ketë aksione në TikTok në ShBA
Familja mbretërore e Abu Dabit do të marrë një pjesë të aksioneve të biznesit të TikTokut në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje ku vlera e rrjetit të njohur vlerësohet të jetë 14 miliardë dollar.
MGX, fond që drejtohet nga Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan, do të marrë 15 për qind të aksioneve dhe një ulëse në bord, kur të themelohet “TikTok US”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten në mbrëmje, duke e miratuar marrëveshjen dhe duke ofruar një periudhë kohore prej 120 ditësh për finalizimin e hollësive.
Kompania “Oracle” e miliarderit Larry Ellison, grupi privat “Silver Lake” dhe MGX nga Abu Dabi do të kontrollojnë rreth 45 për qind të kompanisë “TikTok US”. Në përgjithësi, kompanitë amerikane pritet të kontrollojnë pak më shumë se 65 për qind të kompanisë. Trumpi i ka përmendur si investitorë edhe Michael Dell-in dhe Rupert Murdoch-un.
“[TikTok US] do të jetë me shumicë në pronësi dhe i kontrolluar nga persona të Shteteve të Bashkuara dhe nuk do të kontrollohet më nga asnjë armik i jashtëm” – tha presidenti amerikan.
Kompania kineze që e ka në pronësi TikTokun, “ByteDance”, do të mbajë 19,9 për qind të aksioneve në operacionet e firmës në ShBA.
Kina nuk ka bërë publikisht të qartë nëse do ta miratojë marrëveshjen, edhe pse Trumpi tha se “kishte bisedë të mirë” me homologun kinez, Xi Jinping, “i cili na e dha miratimin”.
Vlerësimi i vlerës prej 14 miliardë dollarësh për biznesin e TikTokut në Shtetet e Bashkuara është shumë më i ulët se vlerësimi për kompaninë “ByteDance” në përgjithësi, e cila vlerësohet se vlen rreth 330 miliardë dollarë. Sa për krahasim, kompania “Meta”, e cila i ka në pronësi rrjetet Facebook e Instagram, vlerësohet se peshon 1,8 trilion dollarë./Nacionale