Eskalojnë gafat e Bidenit, thotë se është krenar që ka shërbyer si “gruaja e parë me ngjyrë” në Shtëpinë e Bardhë - NACIONALE

Eskalojnë gafat e Bidenit, thotë se është krenar që ka shërbyer si “gruaja e parë me ngjyrë” në Shtëpinë e Bardhë

11 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se ai është “krenar” që ka qenë “gruaja e parë me ngjyrë që ka shërbyer me një president me ngjyrë”, raporton gazeta britanike, “The Telegraph”.

Një javë pas debatit katastrofal të Bidenit me rivalin Donald Trump, që e ka lënë presidentin në luftë për jetën e tij politike, kreu i Shtëpisë së Bardhë i përdrodhi fjalët e veta gjatë një interviste me Radion “Wurd” në Filadelfia, duke e ngatërruar veten me nënpresidenten Kamala Harris, raporton e përditshmja e njohur britanike.

“Meqë ra fjala, unë jam krenar që isha, siç thashë, nënpresidentja, gruaja e parë me ngjyrë... që ka shërbyer me një president me ngjyrë” – tha ai, duke e ngatërruar kohën e tij si nënpresident gjatë pushtetit të ish-presidentit Barack Obama.

Obama dhe Harrisi bënë histori, kur u zgjodhën në pozitat e larta më 2008, përkatësisht 2020, ai si presidenti i parë me ngjyrë, ndërsa ajo si nënpresidentja e parë me ngjyrë dhe gruaja e parë që e mban këtë post.

Më herët në intervistë, Bideni foli pa gabime rreth emërimit të zonjës Harris dhe gruas së parë me ngjyrë në Gjykatën Supreme, gjykatësen Ketanji Brown Jackson.

Bideni nuk u duk i sigurt as kur foli në programin “The Earl Ingram Show”, që cak i ka dëgjuesit me ngjyrë në Wisconsin, por gjithashtu transmetohet në mbarë vendin.

Kur u pyet se pse votimi ka peshë, Bideni dha një përgjigje që dukej se i referohej vendimit të Gjykatës Supreme për t’i dhënë Trumpit imunitet të konsiderueshëm nga ndjekja penale.

Ai tha: “Ju nevojitet dikush, dikush që do të sigurohet që – Gjykata Supreme porsa lëshoi një vendim, meqë ra fjala, që e rrezikon parimin amerikan që ne nuk kemi mbretër në Amerikë. Askush nuk është mbi ligjin.”

Më herët të enjten, presidenti 81-vjeçar bëri një shkarje tjetër, kur foli për familjet e ushtarëve në Oborrin Jugor të Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë një fjalimi 4-minutësh, ai tha se “nuk do të shkojë askund”, por u duk që gaboi, kur Trumpit iu referua si “njëri nga kolegët tanë”.

Këto gabime vetëm do ta shtojnë trysninë ndaj Bidenit që të tërhiqet nga gara si kandidat i Partisë Demokratike, përderisa anëtaret e saj po shqetësohen për aftësinë e saj që ta mposhtë Trumpin në nëntor.

Edhe pse disa demokratë të zgjedhur kanë bërë thirrje që Bideni të tërhiqet nga gara, shumica janë përmbajtur nga kjo kërkesë.

Ka spekulime se shumë prej tyre janë duke pritur rezultate nga anketa më të hollësishme në shtetet kyçe që mund të dalin ditëve të ardhshme për të pasur një tregues më të qartë se sa shumë përkrahje ka humbur Bideni, e pastaj të dalin me deklarata publike./Nacionale

Lajme të ngjashme