Erdogani midis Nju-Jorkut: I besoj Rusisë po aq sa Perëndimit
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se i beson Rusisë po aq sa i beson Perëndimit.
Duke folur për takimin me homologun rus, Vladimir Putin, të zhvilluar rishtazi, Erdogani tha se kishte dështuar që ta bindte Putinin për ta kthyer Rusinë në marrëveshjen për drithin, nga e cila u tërhoq në korrik, por se kishte nxjerrë një zotim që Rusia ta furnizojë Afrikën me një milion tonë drithë, raporton “ABC News”.
“Nuk kam arsye që të mos u besoj atyre (rusëve)”- tha presidenti turk gjatë një interviste të hënën vonë me transmetuesin amerikan, PBS, në Nju-Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Në nivelin që Perëndimi është i besueshëm, Rusia është baras e besueshme. Gjatë 50 viteve të fundit, ne kemi qenë duke pritur në pragun e BE-së dhe, në këtë moment, unë i besoj Rusisë po aq shumë sa i besoj Perëndimit”- shtoi Erdogani.
Ankaraja ka mbajtur lidhje të ngushta edhe me Rusinë, edhe me Ukrainën gjatë luftës. Në korrik të vitit të kaluar, Turqia dhe OKB-ja ndërmjetësuan për arritjen e marrëveshjes për eksportimin e drithit të Ukrainës nëpër Detin e Zi, duke ndihmuar në lehtësimin e krizës globale të ushqimit.
Duke folur të hënën, Erdogani u duk sikur ishte zmbrapsur nga komentet që i kishte bërë para nisjes për në Nju-Jork, kur kishte lënë të kuptohej se Turqia do të mund t’i jepte fund synimit të saj 24-vjeçar për anëtarësim në Bashkim Evropian.
“Ne shohim që një dritare e mundësisë është hapur për rivitalizimin e marrëdhënieve Turqi – BE në një periudhë kritike”- tha presidenti turk, sipas tekstit të publikuar nga zyra e tij.
Erdogani dha shenja edhe për përmirësimin e marrëdhënieve të Turqisë me Shtetet e Bashkuara, të cilat rishtazi janë përqendruar në miratimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO nga Ankaraja dhe në një marrëveshje të mundshme për ta furnizuar Turqinë me aeroplanë ushtarakë të tipit F-16.
“Ne jemi të kënaqur me zhvillimin e bashkëpunimit tonë me ShBA-në. I kemi zgjidhur shumicën e ngërçeve gjatë bisedimeve me z. Biden dhe kemi vendosur që të mbajmë më shumë bisedime në vijë me agjendën pozitive”- shtoi presidenti turk.