Edhe pas vrasjes së mbi 100 palestinezëve, bisedimet për armëpushim duken në rrugë të mirë - NACIONALE

Edhe pas vrasjes së mbi 100 palestinezëve, bisedimet për armëpushim duken në rrugë të mirë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bisedimet e vazhdueshme për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi për ndërprerjen e luftimeve mes Hamasit dhe Izraelit në Gaza nga fillimi i Ramazanit duket se janë ende në rrugë të mirë, edhe pas vrasjes së mbi 100 palestinezëve të enjten, përderisa ata po mundoheshin që të merrnin ndihma ushqimore në qytetit Gaza, sipas zyrtarëve të afërt me këto diskutime.

Zyrtarë amerikanë thanë të premten se nuk ka shenja që bisedimet kishin dalë nga binarët në masë të konsiderueshme, por shumë varet nga një përgjigje e pritshme e Hamasit për ato që janë diskutuar në Paris dhe Doha gjatë javës së kaluar mes shteteve të përfshira: Katarit, Egjiptit, Izraelit dhe ShBA-së. Të enjten, një zyrtar i Hamasit paralajmëroi se bisedimet mund të prekeshin [nga vrasja masive e palestinezëve gjatë pritjes për ndihma], raporton televizioni CNN.

Televizioni është përpjekur që të kontaktojë me disa zyrtarë të Hamasit për një marrëveshje të mundshme, por nuk ka marrë përgjigje.

Menjëherë pas vdekjes së dhjetëra civilëve palestinezë në Gaza të enjten, zyrtarë amerikanë thanë se kjo skenë kaotike e shton urgjencën ndaj bisedimeve për lirimin e pengjeve dhe ndërprerjen e luftimeve.

Të premten pasdite, presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për “armëpushim të menjëhershëm”.

“Ne po mundohemi që të planifikojmë një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për kthimin e pengjeve dhe për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza për të paktën gjashtë javë dhe për të lejuar shtim të ndihmave në Rripin e Gazës” – tha presidenti amerikan gjatë një takimi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Një zyrtar i lartë i administratës së Bidenit tha më herët të premten se ShBA-ja është ende duke nxituar për të siguruar një marrëveshje që do të niste në kohën e fillimit të Ramazanit – tash vetëm rreth një javë larg – që është koha kur Izraeli ka paralajmëruar se forcat e tij do t’i zgjerojnë operacionet ushtarake në Rafah, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Lajme të ngjashme