“E pabazë”: Kina del kundër akuzës së Zelenskyt se po e furnizon me armë Rusinë - NACIONALE

“E pabazë”: Kina del kundër akuzës së Zelenskyt se po e furnizon me armë Rusinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Kinës të premten e cilësoi si “të pabazë” akuzën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Pekini ka qenë duke e furnizuar Rusinë me armë.

Pavarësisht se ka mbajtur lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë gjatë luftës trevjeçare të Moskës në Ukrainë, Kina është përpjekur që të paraqesë një imazh neutraliteti dhe mohon çfarëdo ndërhyrje në luftë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Reagimi i së premtes vjen pas komenteve të Zelenskyt në një konferencë për gazetarë të mbajtur të enjten, ku tha se Kina po e furnizonte Rusinë me armë dhe barut si dhe e akuzoi Kinën se po prodhonte armë në territorin e Rusisë.

Kina asnjëherë nuk ka bërë të qasshme armë vdekjeprurëse për asnjë palë në krizën ukrainase, tha në një konferencë të rregullt për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Pekin, Lin Jian.

“Pozicioni i Kinës ndaj çështjes ukrainase ka qenë gjithmonë i qartë. Ajo (Kina) është zotuar në mënyrë aktive për promovimin e një armëpushimi dhe për përfundimin e konfliktit, si dhe për inkurajimin e bisedimeve të paqes” – shtoi zëdhënësi kinez.

Sipas tij, Kina i kundërshton akuzat e pabaza dhe manipulimin politik, duke shtuar se Ukraina kishte thënë publikisht se shumica e pjesëve të armëve të importuara nga Rusia vijnë nga Shtetet e bashkuara dhe nga vende të tjera perëndimore./Nacionale

Lajme të ngjashme