Dyshohet se në një operacion amerikan u vra gabimisht në Siri agjenti i fshehtë, Khaled al-Masoud
Një bastisje nga forcat amerikane dhe një grup lokal sirian me qëllim të kapjes së një zyrtari të ISIS-it la gabimisht të vrarë një burrë që kishte qenë duke punuar në fshehtësi për të mbledhur të dhëna të inteligjencës rreth ekstremistëve, i thanë agjencisë së lajmeve“Associated Press” disa të afërm të tij dhe zyrtarët sirianë.
Vrasje e Al-Masoudit në tetor e nënvizon peizazhin kompleks politik dhe të sigurisë në kohën kur Shtetet e Bashkuara po fillojnë të punojnë me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, në luftën kundër mbetjeve të ISIS-it.
Sipas të afërmve, Khaled al-Masoud ishte duke e spiunuar ISIS-in me vite në emër të kryengritësve të udhëhequr nga Sharaa dhe pastaj për qeverinë e përkohshme të presidentit sirian, e cila u themelua pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad para një viti. Kryengritësit e Sharaas ishin kryesisht islamistë, disa të lidhur me grupin al-Qaeda, por armiq të ISIS-it me të cilin janë përleshur shpesh gjatë dekadës së fundit.
As zyrtarë amerikanë, as zyrtarë qeveritarë sirianë nuk e kanë komentuar vdekjen e Al-Masoudit, shenjë që asnjëra palë nuk dëshiron që incidenti t’i nxjerrë nga binarët marrëdhëniet që po përmirësohen. Disa javë pas bastisjes së kryer më 19 tetor, Sharaa e vizitoi Uashingtonin dhe njoftoi se Siria do t’i bashkohej koalicionit global kundër ISIS-it.
Prapëseprapë, vdekja e Al-Masoudit mund të jetë “goxha hap prapa” për përpjekjet për ta luftuar ISIS-in, thotë Wassim Nasr, hulumtues në Qendrën Soufran me bazë në Nju-Jork, e përqendruar në çështjen e sigurisë.
Sipas tij, Al-Masoudi ishte infiltruar në ISIS në shkretëtirat jugore të Sirisë të njohura si Badiya, njëra nga vendet ku mbetjet e grupit ekstremist kishin mbetur aktive.
Nasr tha se bastisja që e vuri në shënjestër Al-Masoudin ishte rezultat i “mungesës së bashkërendimit mes koalicionit dhe Damaskut”.
Bastisja ndodhi në Dumayr, qytezë në lindje të Damaskut e në skajin e shkretëtirës. Rreth orës 3 të mëngjesit, banorët u zgjuan nga zhurma e automjeteve të rënda e aeroplanëve.
Banorët thanë se trupat amerikane e kryen bastisjen bashkë me Ushtrinë e Lirë Siriane, grup opozitar i trajnuar nga amerikanët që kishte luftuar kundër Assadit. Ushtria e Lirë Siriane tani zyrtarisht i raporton Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë.
Përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme të Sirisë si dhe emisari amerikan në Siri, Tom Barrack, refuzuan që të komentonin./Nacionale