Dyshohet se amerikani 78-vjeçar vrau fqinjin që po krasiste drurë në vijën mes oborreve - NACIONALE

Dyshohet se amerikani 78-vjeçar vrau fqinjin që po krasiste drurë në vijën mes oborreve

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një burrë 78-vjeçar në Florida të Shteteve të Bashkuara dyshohet se e ka qëlluar për vdekje fqinjin e tij, i cili po krasiste drurë në vijën që i ndan pronat e tyre, thonë autoritetet amerikane.

Për të shtënat u raportua rreth orës 19 të dielën në DeLeon Springs, rreth 70 kilometra në veri të Orlandos, tha zyra e policisë lokale, raporton “ABC News”.

Brian Ford, 42 vjeç, ishte duke krasitur drurë përgjatë vijës që i ndan dy pronat, kur fqinji i tij 78-vjeçar, Edward Druzolowski, u ballafaqua me të, thuhet në deklaratën e policisë.

I dyshuri i tha policisë se kishte kërcënuar se do ta shkrepte armën dhe, kur fqinji nuk ishte larguar, e kishte qëlluar atë, thonë autoritetet.

Druzolowski është arrestuar për vrasje të shkallës së dytë. Sipas dokumenteve të gjykatës, gjatë thirrjes në numrin e shërbimeve emergjente, bashkëshortja e të dyshuarit ka thënë se ai vetëm donte që ta frikësonte fqinjin.

Në intervistën e të dyshuarit me policinë, ai tha se i ishte afruar fqinjit dhe i kishte thënë që të largohej nga prona e tij, ndërsa ai i kishte thënë diçka si “shikoje punën tënde”, pastaj edhe disa fjalë të pahijshme, sipas dokumenteve të gjykatës.

Druzolowski tha se nuk kishte folur me fqinjin qe disa vjet dhe se kurrë nuk kishin pasur probleme më parë. I dyshuari tha se fqinji i tij kurrë nuk e kishte kërcënuar se do ta lëndonte ose se do ta vriste, por shtoi se reputacioni i fqinjit i kishte shkaktuar frikë. Në dokumente të gjykatës thuhet se dy thika janë gjetur pranë trupit të të vrarit.

Lajme të ngjashme