"Dorëzohet" edhe ShBA-ja: Mësuesve u rriten pagat pas hyrjes në grevë - Kurti po mbahet ende - NACIONALE

"Dorëzohet" edhe ShBA-ja: Mësuesve u rriten pagat pas hyrjes në grevë - Kurti po mbahet ende

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Mësuesit e shkollave publike në Seattle të Shteteve të Bashkuara po mbajnë grevë për të dytën ditë radhazi. Ata kanë dalë edhe në rrugë për të protestuar për kushte më të mira, përfshirë pagën dhe përkrahjen arsimore për nxënësit që janë përballur me vështirësi të të nxënit në pandemi. Ndërkohë në disa pjesë të tjera të ShBA-së tashmë janë rritur pagat e mësuesve që kishin hyrë në grevë.

Associated Press

Nuk është e qartë se sa do të zgjasë greva në Seattle, por administratorët e anuluan mësimin për të dytën ditë radhazi të enjten, duke lënë shumë prindër në kërkim të kujdesit alternative për fëmijët. Autoritetet e qytetit thanë se nga e hëna do të hapin qendra rekreacioni për fëmijët nga ata në çerdhe deri në klasën e gjashtë.

“Ne i inkurajojmë mësuesit dhe distriktet e shkollave që të arrijnë urgjentisht një zgjidhje të drejtë që i vë në qendër nxënësit tanë dhe i bën prioritet shkollimin e të ardhmen e tyre”, tha përmes një deklarate kryetari i qytetit, Bruce Harrell.

Mësuesit që janë futur në grevë, theksuan se shqetësimi kryesor i tyre është ndihma arsimore dhe emocionale për nxënësit, sidomos për ata me nevoja të veçanta ose me vështirësi në të nxënë. Shoqata e Arsimit në Seattle tha se 95 për qind e anëtarëve të saj me të drejtë vote e kanë miratuar grevën.

“Pakënaqësia e mësuesve me kushtet e punës nuk është diçka që filloi dje. Ata duan kushte pune të sigurta dhe të mbështetura, ata duan një zë në politikën e distrikteve të shkollave, ata duan pagë të përshtatshme. Ajo që njerëzit nganjëherë e harrojnë është që administratorët i duan ato gjëra, gjithashtu”, tha David Knight, profesor asistent i financave dhe politikave të edukimit në Universitetin e Uashingtonit.

Mësuesit në Columbus i dhanë fund një greve të shkurtër javën e kaluar, pasi u pajtuan për një pako me rritje page prej 4 për qind, me plane për përmirësime, klasë me numër më të vogël të nxënësve dhe përfitime inovative gjatë pushimit me pagesë.

Në Denver, javën e kaluar u arrit marrëveshje në parim për rritje page prej 8.7 për qind për edukatorët, pagë më të lartë për mësuesit e klasave të para dhe më shumë të holla për kostot e sigurimit shëndetësor.

Mësuesit në Minneapolis, Chicago dhe Sacramento hynë në grevë më herët këtë vit para se të siguronin kontrata të reja, shkruan agjencia “Associated Press”, përcjell Nacionale.

Në Kent, sindikata e mësuesve tha të mërkurën se ka arritur marrëveshje në parim për t’i dhënë fund grevës që e ka shtyrë fillimin e vitit të ri shkollor që nga 25 gushti.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës ende po i bën ballë grevës, pa i plotësuar kërkesat e SBAShK-ut, por vetëm duke e kërkuar fillimin e procesit mësimor. Sidoqoftë, as sindikata nuk po heq dorë nga greva dhe mësimi nuk ka filluar ende në pjesën dërrmuese të shkollave./Nacionale

Lajme të ngjashme