Dhjetë të vdekur e dyshime për mbi 100 të ngujuar nga rrëshqitja e dheut në Indi - NACIONALE

Dhjetë të vdekur e dyshime për mbi 100 të ngujuar nga rrëshqitja e dheut në Indi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Punëtorët e shpëtimit në Indi punuan në terren të vështirë e mot të lig të enjten, duke kërkuar më shumë se 100 persona që dyshohet se janë ngujuar nga rrëshqitja e dheut që ka lënë të vdekur të paktën dhjetë njerëz pas reshjeve të vazhdueshme të shiut në një shpat.

Dheu rrëshqiti në mesin e natës në fshatin e skajshëm malor, Irshalwadi, që shtrihet në shtetin perëndimor indian të Maharashtra-s, rreth 60 kilometra nga Mumbai, thanë zyrtarët indianë.

Dhjetë trupa janë nxjerrë dhe mbi 80 persona janë shpëtuar, raporton agjencia “Reuters”.

Vlerësohet se të paktën 225 njerëz ishin duke jetuar në këtë fshat, sipas zëvendëskryeministrit shtetëror, Devendra Fadnavis. Ka frikë se më shumë se 100 prej tyre ishin të ngujuar nën rrënoja.

Punëtorët e shpëtimit po detyrohen që të bëjnë ecje të vështirë me pajisjet e tyre për gati dy orë për të arritur deri në vendin e ngjarjes, disa të shoqëruar nga qentë nuhatës.

“Rrënojat në disa vende janë nga tri deri në nëntë metra të thella”- tha S B Singh, zyrtar në Forcën Kombëtare për Reagim ndaj Fatkeqësive.

“Është vështirë që të sillet makineri e rëndë në këtë vend. Është një udhëtim prej 2,8 kilometrash për të arritur në pikë dhe ne duhet që t’i largojmë rrënojat në mënyrë manuale, gjë që pritet të marrë shumë kohë”- shtoi ai.

Para dy vjetëve, më shumë se 80 persona vdiqën nga rrëshqitja e dheut në një fshat afër vendit ku ka ndodhur rrëshqitja e re.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar mbyllje të shkollave, rrugë të vërshuara dhe pengesa në transport në Maharashtra dhe Gujarat.

Lajme të ngjashme