'Dështon të zgjidhet Përfaqësuesi i ri i Lartë', SHBA-të të acaruara me BE-në: Do ta rishqyrtojmë rolin dhe praninë në Bosnje dhe Hercegovinë
Ambasada Amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH) ka reaguar pas dështimit të Këshillit për Zbatimin e Paqes në Bosnje dhe Hercegovinë (PIC) për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë në mbledhjen e mbajtur të enjten në Sarajevë. SHBA-të ua kanë bërë me dije evropianëve se, nëse vazhdohet me këtë qasje, do ta rishqyrtojnë rolin dhe praninë e tyre në këtë vend.
Përmes ambasadës së saj në Bosnje dhe Hercegovinë, SHBA-ja ka shprehur zhgënjimin e saj pasi vendet evropiane dështuan të arrinin konsensus rreth një kandidati evropian. Uashingtoni është i pakënaqur që këto përçarje e penguan PIC-un të përmbushë detyrën e tij për të zgjedhur një Përfaqësues të ri të Lartë.
Tutje, në reagim thuhet se pavendosmëria e vendeve evropiane po i detyron SHBA-të të rishqyrtojnë rolin dhe praninë e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Pavendosmëria evropiane dhe heqja dorë e PIC-it nga përgjegjësia e vet ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës po i detyrojnë Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë rolin e tyre në praninë aktuale ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë”, shkroi, ndër të tjera Ambasada Amerikane në "X".

Delegacioni amerikan, thuhet se ishte përpjekur të arrinte pajtueshmëri rreth një vizioni të përbashkët dhe kandidaturës së diplomatit italian me përvojë, ambasadorit Antonio Zanardi Landi.
“Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e përshkroi kandidatin italian para Kongresit si ‘një zotëri për të cilin ne mendojmë se do të bënte një punë të mirë duke ndihmuar në sigurimin e njëfarë stabiliteti për atë pozitë’.”
“Publikisht dhe gjerësisht pritej që në takimin e 3–4 qershorit, Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC) të zgjidhte një Përfaqësues të ri të Lartë për të siguruar stabilitet në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH). Delegacioni amerikan u përpoq të arrinte konsensus rreth një vizioni të përbashkët dhe kandidatit të kualifikuar të Italisë, diplomatit me përvojë, ambasadorit Antonio Zanardi Landi. Sekretari Rubio e përshkroi kandidatin italian para Kongresit si një ‘zotëri që mendojmë se do të bënte një punë të mirë për të ndihmuar në sigurimin e njëfarë stabiliteti në atë pozitë’. Shtetet e Bashkuara e vënë në dukje dështimin e vendeve evropiane për të arritur konsensus rreth një kandidati evropian dhe janë të zhgënjyera që këto përçarje e penguan PIC-un të përmbushë detyrën e tij për të zgjedhur një Përfaqësues të ri të Lartë. Pavendosmëria evropiane dhe heqja dorë e PIC-it nga detyrat e tij ndaj BiH-së po i detyrojnë Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë rolin e tyre në praninë aktuale ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në reagimin e ambasadës në X.
It was publicly and widely expected that at the June 3-4 meeting, the Peace Implementation Council (PIC) would select a new High Representative to provide stability for Bosnia and Hercegovina (BiH).
— US Embassy Sarajevo (@USEmbassySJJ) June 4, 2026
The U.S. delegation strove to achieve a consensus around a commonly shared…
Ndryshe, Këshilli për Zbatimin e Paqes në Bosnje dhe Hercegovinë (PIC) përbëhet nga SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja, Japonia, Rusia dhe Turqia, e cila përfaqëson interesat e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, së bashku me disa vende të tjera.
Që nga themelimi i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), në fund të vitit 1995, mbi bazën e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, detyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë e kanë ushtruar tetë diplomatë evropianë, ndërsa të gjithë zëvendësit e tyre të parë kanë qenë amerikanë./Nacionale