Dënohet me burgim të gjatë në Francë ish-udhëheqësi rebel kongolez, Roger Lumbala
Ish-udhëheqësi i rebelëve kongolezë, Roger Lumbala, të hënën u shpall fajtor nga një gjykatë në Paris për bashkëfajësi në krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë Luftës së Dytë të Kongos, dhe u dënua me 30 vjet heqje lirie, tha një zyrtar.
Ky gjykim është vlerësuar larg nga mbrojtësit e drejtësisë ndërkombëtare, duke u cilësuar si hap i madh në zgjerimin e llogaridhënies për konfliktin që ka lënë miliona njerëz të vdekur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për 67-vjeçarin Lumbala.
Duke e shqiptuar vendimin, kryetari i gjykatës, Marc Sommerer, tha se Lumbala është shpallur fajtor për urdhërimin ose dhënien e ndihmës për torturë dhe krime çnjerëzore, ekzekutime jashtëgjyqësore, përdhunim që përbën torturë, skllavëri seksuale, punë të detyrueshme, vjedhje dhe plaçkitje.
Akuzat lidheshin me një operacion ushtarak të njohur si “Fshirja e Tabelës”, i kryer në vitin 2002 dhe 2003 në pjesën verilindore të Kongos nga Lëvizja për Çlirimin e Kongos dhe Tubimi për Demokracinë Kongoleze – Nacionale (RCD-N), grup i mbështetur nga Uganda dhe i udhëhequr atë kohë nga Lumbala.
Në shënjestër të këtij operacioni ishin pjesëtarët e grupeve Nande dhe Bambuti, të cilët akuzoheshin se po mbështesnin një grup militant rival.
Avokati mbrojtës, Hugues Vigier, refuzoi që të komentonte pas vendimit të së hënës.
Lufta e Dytë e Kongos nisi në vitin 1998 dhe përfundoi më 2003. Në të ishin të përfshira nëntë shtete dhe më shumë se 5 milionë njerëz e humbën jetën, përfshirë shumë që vdiqën nga uria dhe sëmundjet./Nacionale