Danimarka e Norvegjia do t’i dhurojnë më shumë tanke e automjete të tjera Ukrainës - NACIONALE

Danimarka e Norvegjia do t’i dhurojnë më shumë tanke e automjete të tjera Ukrainës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Danimarka dhe Norvegjia njoftuan të martën se do ta përkrahin Ukrainën me automjete ushtarake shtesë, përfshirë tanket, automjetet e transportit dhe municionin.

Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës i tha të martën televizionit CNN se ky shtet do t’i japë Ukrainës 45 tanke shtesë, përfshirë 15 tanke të modernizuara të tipit T-72 dhe 30 tanke të tipit “Leopard 1”.

Përpos këtyre, shteti i Evropës Veriore njoftoi se do ta furnizojë Ukrainën edhe me armë, municion dhe pajisje për largimin e minave, raporton televizioni CNN.

Donacioni është pjesë e një nisme të përbashkët mes ministrive të Mbrojtjes të Danimarkës, Holandës dhe Republikës Çeke, të cilat “e ndajnë të kuptuarit se ofrimi i vazhdueshëm i materialeve nga rezervat dhe prodhimi i industrisë do të jenë me rëndësi jetike për aftësitë ushtarake të Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

Norvegjia pritet që t’i dhurojë Ukrainës 50 automjete transportuese ushtarake me zinxhirë, sipas një njoftimi të Qeverisë së Norvegjisë. Këto automjete mund të manovrojnë në terrene që janë të paqasshme për automjetet me rrota.

“Transportuesit e mallrave mund të transportojnë municion, ushqim dhe ujë për trupat ukrainase në terren”- thuhet në deklaratën e ekzekutivit norvegjez.

Norvegjia më parë i ka dhënë Ukrainës “një gamë të gjerë të kapaciteteve”, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore me bazë në tokë dhe tanket e betejave. Norvegjia është gjithashtu në mesin e vendeve që do t’i dhurojnë Ukrainës aeroplanë luftarakë të tipit F-16.

Lajme të ngjashme