Burrave ukrainas të moshës 18 deri 22-vjeçare tani u lejohet kalimi i lirshëm i kufirit
Burrave ukrainas nga mosha 18 deri 22-vjeçare tani u lejohet që ta kalojnë kufirin në mënyrë të lirë në secilin drejtim sipas ligjit të luftës, ka njoftuar kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.
Sipas rregullave të mëhershme, të vëna në fuqi pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, burrave nga mosha 18 deri 60-vjeçare u ndalohej largimi nga vendi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kjo vlen për të gjithë qytetarët në këtë grup moshe. Vendimi i përfshin gjithashtu qytetarët që, për arsye të ndryshme, ndodhen jashtë Ukrainës” – shkroi zonja Svyrydenko në rrjetin “Telegram”.
“Ne duam që të gjithë ukrainasit të mbajnë lidhje maksimale me Ukrainën. Ndryshimet hyjnë në fuqi një ditë pas publikimit zyrtar” – shtoi ajo.
Në një luftë të gjatë e me një armik më të madh në numër, është raportuar se Ukraina po ballafaqohet me mungesë rekrutësh.