Bota reagon ndaj fitores së Truss, urime por edhe komente të ashpra
Udhëheqësit globalë i kanë dërguar urimet e tyre Liz Truss pas zgjedhjes si kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar - por në mediat ndërkombëtare, ka pasur edhe komente më të ashpra.
"Ajo ka shkuar për të parë Mbretëreshën," tha prezantuesi televiziv rus Ivan Trushkin. “Sigurisht, nëse ajo (Mbretëresha) e njeh atë."
Ndërkohë, në Francë, komentuesit në Les Echos e quajtën Truss - jo Zonjën e Hekurt – që ishte pseudonimi i ish-kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar Margaret Thatcher – por “Iron Weathercock”.
Kjo është një referencë për ndryshimin e pikëpamjeve të Truss për largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian - ajo u kthye nga kundërshtare para referendumit të 2016 e më pas në mbështetëse.
Ashtu si Les Echos, Corriere della Sera e Italisë e ka krahasuar Truss-in me Thatcher - por duke përshkruar fjalimet e lideres së re si më "robotike".
Ndërkohë, lideri i parë që e ka uruar publikisht Truss ishte kancelari gjerman Olaf Scholz.
"Në këto kohë sfiduese, Londra dhe Berlini do të vazhdojnë të bashkëpunojnë si partnerë dhe miq", është shprehur ai.
Fjalë të ngrohta për Truss, erdhën edhe nga presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen - por jo pa një referencë të dukshme ndaj protokollit të Irlandës së Veriut lidhur me Brexit-in.
“Mezi pres një marrëdhënie konstruktive, në respekt të plotë të marrëveshjeve tona”, ka shkruar von der Leyen në Twitter.
Ndërsa, kryeministri i Indisë Narendra Modi i uroi Liz Truss "shumë të mira", kurse Mateusz Morawiecki i Polonisë tha se ishte "shumë, shumë i kënaqur" nga angazhimi i saj ndaj Ukrainës. Siç pritej, reagimi nga Rusia ka qenë më negativi, me prezantuesit në NTV në pronësi të Gazprom që e përshkruan zgjedhjen e Truss si një "katastrofë" për Mbretërinë e Bashkuar.
Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila më parë ka qenë shumë shpërfillëse për Liz Truss, ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj lajmit.
Por, në muajin shkurt kryediplomati i Moskës Sergei Lavrov e krahasoi takimin me Liz Truss, si "një bisedë mes dikujt që nuk dëgjon dhe dikujt memec".
Kina gjithashtu nuk i është përgjigjur zyrtarisht lajmit për zgjedhjen e Truss - por gazetarët e shquar kinezë kanë ofruar një pamje të ngjashme pesimiste për të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar nën drejtimin e saj.
"Truss ka të ngjarë të jetë një nga kryeministrat më mediokër të Britanisë," ka shkruar në Twitter Hu Xijin, një komentues i Global Times, i lidhur me Partinë Komuniste Kineze.