Blinkeni thotë se ka dëshmi dërrmuese që opozita i ka fituar zgjedhjet në Venezuelë - NACIONALE

Blinkeni thotë se ka dëshmi dërrmuese që opozita i ka fituar zgjedhjet në Venezuelë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka thënë se ka “dëshmi dërrmuese” se opozita e Venezuelës i ka fituar zgjedhjet presidenciale atje.

Në një deklaratë, kryediplomati amerikan tha se është e qartë se Edmundo Gonzalez i ka fituar shumicën e votave, edhe pse presidenti i tanishëm, Nicolas Maduro, e ka shpallur fitoren që i është kontestuar, raporton televizioni BBC.

“Duke i marrë parasysh dëshmitë dërrmuese, është e qartë për Shtetet e Bashkuara dhe, më e rëndësishmja, për popullin venezuelas që Edmundo Gonzalez Uturria i kishte fituar shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut në Venezuelë” – tha Blinkeni.

Ndërhyrja e tij vjen pasi presidentët e Brazilit, Meksikës dhe Kolumbisë i bënë thirrje Venezuelës që t’i publikojë hollësitë e plota të zgjedhjeve të së dielës.

Të dielën e kaluar, Këshilli Zgjedhor, që kontrollohet nga pushteti, njoftoi se presidenti Maduro i kishte fituar zgjedhjet për mandatin e tretë. Megjithatë, kjo u kontestua menjëherë nga opozita, e cila tha se, me qasje në shumicën e pranuesve nga makinat e votimit elektronik përreth vendit, rezultati ishte i rremë.

Opozita ka thënë se rezultatet e saj tregojnë se i ka fituar zgjedhjet me dallim të madh në numër të votave. Anketat para zgjedhjeve kishin sugjeruar fitore të qartë për kreun e opozitës.

Në anën tjetër, presidenti Maduro në të kaluarën i ka akuzuar qeveritë e vendeve të huaja për ndërhyrje në zgjedhje.

Ai e ka mohuar fuqishëm mashtrimin në zgjedhjeve dhe ka thënë se opozita ka nxitur një puç përmes kontestimit të rezultatit.

Shpallja e fitores nga Maduro nxiti protesta vdekjeprurëse në Karakas dhe gjithashtu solli kritika nga vende të ndryshme të botës. Shumë qeveri kanë kërkuar që autoritetet të publikojnë dëshmi të rezultatit të zgjedhjeve./Nacionale

Lajme të ngjashme