Bideni ia jep Stoltenbergut nderin më të lartë amerikan - Medaljen Presidenciale të Lirisë
Presidenti amerikan, Joe Biden, ia dha të martën në mbrëmje sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nderin më të lartë civil, Medaljen Presidenciale të Lirisë. Ceremonia e befasishme u bë në fillimin e samitit të NATO-s në Uashington.
“Shumë prej përparimit që ne e kemi bërë në aleancë është falë sekretarit. Ai është njeri i ndershmërisë dhe rreptësisë intelektuale, temperamentit të qetë në një moment krize, diplomat i përkryer që punon me udhëheqës në mbarë spektrin politik dhe gjithmonë gjen një rrugë për ta vazhduar ecjen e tij përpara” – tha presidenti amerikan, raporton televizioni CNN.
Vitin e kaluar, Bideni kishte kërkuar nga Stoltenbergu që të qëndronte edhe për një vit në postin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke e përmendur luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë. Ish-kryeministri norvegjez e ka mbajtur këtë pozitë nga viti 2014. Ish-kryeministri holandez, Mark Rutte, muajin e kaluar u zgjodh sekretar i ri i aleancës dhe punën do ta fillojë më 1 tetor.
“Unë kuptova – po flisja me bashkëshorten tuaj, kërkova personalisht nga ti që ta zgjatje shërbimin, më fal, që t’i pezulloje planet tua. Kur lufta ruse në Ukrainë nisi, ti nuk ngurrove. Sot, NATO-ja është më e fortë, më e mençur, më e energjizuar se kur ti e nise [punën]. Një miliard njerëz në mbarë Evropën e Amerikën Veriore – vërtet e tërë bota – do t’i vjelë frytet e punës tënde gjatë viteve të ardhshme” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke e çmuar norvegjezin Stoltenberg.
Bideni edhe vetë ishte shpërblyer me Medaljen Presidenciale të Lirisë, kur ishte duke shërbyer si nënpresident në mandatin e ish-presidentit Barack Obama dhe rishtazi ua ndau këtë nder 19 amerikanëve që janë shquar me dekada në arritje të ndryshme në politikë, atletikë e për të drejtat e njeriut.
Presidenti amerikan e nderoi Stoltenbergun në përmbyllje të fjalimit të tij të përcjellë me vëmendje në hapje të samitit të NATO-s, gjatë të cilit Bideni njoftoi për dhurimin e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore për Ukrainën./Nacionale