BE-ja lëviz drejt përdorimit të 27 miliardë eurove fitim nga asetet e ngrira ruse për Ukrainën
Udhëheqësit e BE-së pritet të bëjnë një hap të konsiderueshëm drejt konfiskimit të 27 miliardë eurove fitim të realizuar nga asetet shtetërore ruse të ngrira në Evropë për ta ndihmuar financimin e përpjekjeve të Ukrainës në luftë.
Zyrtarët në Komisionin Evropian pritet të çojnë përpara një propozim që ata besojnë se është ligjërisht i fuqishëm për t’u shqyrtuar nga shtetet anëtare, potencialisht para një takimi të kryeministrave në Bruksel të enjten e ardhshme, raporton gazeta“The Guardian”.
Rreth 300 miliardë dollarë që i përkasin bankës qendrore ruse janë ngrirë në perëndim, kryesisht në valuta të huaja, ar e letra qeveritare me vlerë. Rreth 70 për qind e kësaj pasurie mbahet në thesarin qendror belg të sigurimeve, “Euroclear”, që është duke mbajtur asete me vlerë të 190 miliardë eurove.
Depozitat e mbajtura në Evropë me gjasë do të gjenerojnë mes 15 miliardë e 20 miliardë eurove si fitim pas taksave nga tani deri në fund të vitit 2027, varësisht nga zhvillimi i shkallëve globale të interesit, tha një zyrtar i lartë i BE-së.
Këtë vit, depozitat pritet të gjenerojnë mes 2 miliardë e 3 miliardë eurove si fitim, varësisht nga ndryshimet e mundshme të shkallës së interesit – para që pastaj mund të shkojnë drejtpërdrejt në Ukrainë.
Përderisa zyrtarët kanë shpresë për një marrëveshje rreth konfiskimit të fitimit, ata nuk presin ende pak për atë se si duhet të shfrytëzohen këto para, sepse disa shtete janë kundër financimit të ushtrisë ukrainase me to, duke parapëlqyer që mjetet të shpenzohen në rindërtim dhe përpjekje humanitare.
Burimet thonë se Komisioni Evropian në këtë fazë nuk do të ofrojë opsione në lidhje me shfrytëzimin e të hollave. “Kjo nënkupton se ata mund të pajtohen në parim për t’i përdorur të hyrat e fitimit, por pastaj të kenë një diskutim të mëtejmë për atë se ku mund të shkojnë të hollat në mënyrë kushtetuese për secilin shtet anëtar” - tha një burim.
“Procesi ka fituar momentum dhe ne presim që rrotat të lëvizin shumë shpejt për këtë, porsa të merret vendimi” – shtoi burimi.