“Axios”: Izraeli i aktivizoi pejxherët para kohës, kishte frikë se plani ishte zbuluar - NACIONALE

“Axios”: Izraeli i aktivizoi pejxherët para kohës, kishte frikë se plani ishte zbuluar

3 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Izraeli vendosi që t’i aktivizonte pajisjet e komunikimit që po i bartnin anëtarët e Hezbollahut në Liban dhe Siri të martën për shkak të shqetësimit se operacioni sekret mund të ishte zbuluar nga grupi, i thanë tre zyrtarë amerikanë uebfaqes së lajmeve “Axios”.

“Ishte moment “përdore ose humbe” – tha një zyrtar amerikan, duke e përshkruar arsyen që Izraeli ia dha ShBA-së për kohën e sulmit, raporton uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”.

Një ish-zyrtar izraelit me njohuri për operacionin tha se shërbimet izraelite të inteligjencës kishin planifikuar që t’i përdornin pejxherët e montuar me lëndë shpërthyese si goditje të befasishme fillestare në një luftë të hapur në përpjekje për ta shtypur Hezbollahun.

Sidoqoftë, ditëve të fundit, udhëheqësit izraelitë u shqetësuan që Hezbollahu mund t’i ketë zbuluar pejxherët me lëndë shpërthyese. Kryeministri Benjamin Netanyahu, ministrat e tij dhe komandantët e ushtrisë dhe udhëheqësit e agjencive të inteligjencës vendosën që ta përdornin sistemin tani e të mos rrezikonin që operacioni të zbulohej nga Hezbollahu, tha një zyrtar amerikan.

Shqetësimet e Izraelit, që çuan te vendimi për ta kryer sulmin, u raportuan së pari nga “Al-Monitor”, që tah se dy operativë të Hezbollahut kishin ngritur dyshime për pejxherët ditëve të fundit.

Kur këshillltari i lartë i presidentit Joe Biden, Amos Hochstein, e vizitoi Izraelin të hënën, Netanyahu, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, dhe zyrtarë të tjerë të lartë u përfshinë në konsultime të sigurisë që zgjatën me orë, ku u fol për mundësinë që operacioni të ishte komprometuar.

Kur zyrtarët izraelitë u takuan me emisarin amerikan, ata nuk ia dhanë asnjë shenjë se çfarë ishte duke ndodhur në prapaskenë, tha një zyrtar amerikan.

Të martën pasdite sipas kohës lokale, disa minuta para se pejxherët të fillonin të shpërthenin në pjesë të ndryshme të Libanit, Gallanti e telefonoi sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së, Lloyd Austin, dhe i tregoi që Izraeli do të kryente një operacion në Liban së shpejti, por refuzoi që të jepte hollësi specifike.

Një zyrtar amerikan tha se izraelitët nuk i treguan ShBA-së hollësi të operacionit, por shtuan se telefonata e ministrit Gallant ishte përpjekje që Uashingtoni të mos lihej tërësisht në errësirë, pa informata.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë thanë se nuk e panë telefonatën e Gallantit si njoftim serioz paraprak. “Ne nuk ishim të vetëdijshëm për këtë operacion dhe nuk ishim të përfshirë” – tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller./Nacionale

Lajme të ngjashme