Algjeria dënon me vdekje 49 persona për vrasjen e artistit që e akuzonin gabimisht për zjarrvënie - NACIONALE

Algjeria dënon me vdekje 49 persona për vrasjen e artistit që e akuzonin gabimisht për zjarrvënie

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë algjeriane ka dënuar me vdekje 49 persona për vrasjen brutale në grup të një piktori, për të cilin të tashmë të dënuarit dyshonin se kishte ndezur zjarre në natyrë, por që, në të vërtetë, kishte shkuar për të ofruar ndihmë për t’i fikur ato, sipas avokatëve mbrojtës dhe agjencisë shtetërore të lajmeve.

Vrasja e vitit 2021 në rajonin Kabyle të Algjerisë verilindore e kishte tmerruar vendin pas publikimit të pamjeve të rënda në rrjete sociale. Kjo vrasje ndodhi pak pas përhapjes së zjarreve në rajonin malor, Berber, nga të cilat e kishin humbur jetën 90 persona, përfshirë disa ushtarë që po e luftonin flakën.

Gjykimi për vrasjen e artistit Djamel Ben Ismail u zhvillua nën masa të rrepta të sigurisë dhe në të ishin të përfshirë mbi 100 të dyshuar, shumë prej të cilëve u shpallën fajtorë për role të caktuara në vdekjen e Ismailit, shkruan gazeta "The Guardian", përcjell Nacionale.

Ata që u dënuan me vdekje të enjten, me gjasë, do ta vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm, sepse Algjeria me dekada ka në fuqi një moratorium për ekzekutimin e të dënuarve. Tridhjetë e tetë të tjerë u dënuan me burgim nga dy deri në 12 vjet, tha avokati Hakim Saheb, anëtar i një grupi të avokatëve mbrojtës vullnetarë.

Pas përhapjes së zjarreve në gushtin e vitit të kaluar, Ben Ismaili kishte shkruar në rrjete sociale se do të nisej për në rajonin Kabyle, 320 kilometra larg shtëpisë së tij, “për t’u dhënë një krah miqve tanë” që po i luftonin zjarret.

Pas arritjes në Larbaa Nath Irathen, fshat i goditur rëndë nga zjarret, disa banorë e akuzuan atë se kishte ndezur zjarre, qartazi për shkak se ai nuk ishte nga ajo zonë.

Burri 38-vjeçar ishte vrarë afër një stacioni policor, në sheshin e qytezës. Policia tha se ai ishte tërhequr zvarrë nga stacioni, ku ishte duke u mbrojtur, dhe ishte sulmuar. Në mesin e personave të gjykuar ishin tri gra dhe një burrë që e kishin therur me thikë trupin e pajetë para se kufoma të digjej.

Policia tha se fotografitë e publikuara në internet ishin ndihmë për identifikimin e të dyshuarve. Familja e tij e pikëlluar pyeti se pse personat që incizonin, nuk e kishin shpëtuar familjarin e tyre.

Lajme të ngjashme