A po i vjen fundi Twitter-it? - NACIONALE

A po i vjen fundi Twitter-it?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Hashtagu "RIPTwitter" është kthyer në një trend, me shumë përdorues të rrjetit që janë duke u munduar të shkarkojnë të dhënat e tyre.

Shumë përdorues kanë nisur të gjejnë vende alternative, një shembull është edhe Martin Lewis, përdorues me 2 milion ndjekës në Twitter i cili duket se ka kaluar në rrjetin Mastodon, megjithëse ka thënë se ende nuk di ta përdorë.

Ndërkohë, vetë shefi i Twitter, Elon Musk i cili nuk injoron asnjëherë trendet, ka postuar një meme me një gur varri dhe logon e Twitter-it në të.

Është bërë e ditur se stafi i kompanisë është duke u pushuar në mënyrë masive. Me thuajse gysmën e fuqisë punëtore të larguar nga puna një javë pasi Musk e bleu rrjetin. Përveç atyre që janë pushuar, shumë të tjerë janë larguar vetë pas kërkesës së Musk që mendohet se sjell “kushte më të vështira punë” me orë më të gjata.

Tani, nëse flasim për dy dobësitë më të mëdha që mund ta rrëzojnë rrjetin shumë shpejtë, ato mund të jenë hakimi dhe serverët.

A mund të hakohet?

Ashtu si të gjitha faqet e mëdha, edhe Twitter, do të jetë vazhdimisht nën sulmin e aktorëve të këqij - madje edhe në nivel shtetëror - që duan të shkaktojnë ligësi.

Ka liderë botërorë, politikanë e të famshëm me llogari personale në Twitter që ndiqen nga miliona njerëz, një arsye e mundshme për një haker që mund të dojë që njerëzit të shohin mashtrimet e tyre, apo thjesht mund të dojë që të zhdukë një llogari të tillë. Këtë mund ta bëjnë duke e bombarduar me “trafik” në internet në mënyrë që të mbingarkohet e të mbyllet. Përpjekje të tilla ka pasur e ka gjatë gjithë kohës.

Kjo do të thotë që, siguria kibernetike është, ose të paktën duhet të jetë, një pjesë e rëndësishme e operacioneve të përditshme të çdo kompanie të shekullit të 21-të. Por, dihet se vetëm javën e kaluar kreu i sigurisë kibernetike në Twitter, Lea Kissner, është larguar nga puna dhe nuk dihet nëse është zëvendësuar. E duke qenë se Twitter nuk ka asnjë ekip komunikimi, nuk ka asnjë mënyrë për të marrë informacione.

Serverët nën kërcënim

Fatkeqësia e dytë e mundshme është rrëzimi i serverëve - ose nga dikush me inat, ose gabimisht gjatë një mirëmbajtjeje rutinë që nuk mbikëqyret siç duhet.

Pa serverë, nuk ka Twitter (Facebook, ose Instagram apo botë dixhitale.)

Serverët - kompjuterë të fuqishëm - janë si trupat fizikë të këtyre platformave. Ata ekzistojnë në qendrat e të dhënave. Janë në mënyrë efektive depo të mbushura me serverë kompjuterikë të cilët janë qendror për operacionet e bizneseve online. Bota funksionon në serverë.

Siç mund edhe të imagjinohet, të gjitha ato makina gjenerojnë shumë nxehtësi. Prandaj, qendrat e të dhënave duhet të mbahen të freskëta dhe kërkojnë një burim të vazhdueshëm të energjisë elektrike.

Vetë serverët gjithashtu kërkojnë mirëmbajtje dhe zëvendësim, pasi të dhënat migrohen midis tyre. E gjithë kjo mund të bëjë të mundshme që diçka të shkojë keq, gjë që do të ishte dramatike nëse ndodhë.

Opsioni bërthamor

Sigurisht, ato që shpjeguam më lartë dihen edhe nga vetë Elon Musk. Megjithatë, nuk dihet se kush është aktualisht në vëzhgim.

Megjithatë, mund të mendohet se brenda Twitter ka ende më shumë njerëz sesa mendohet.

Por, ekziston edhe një opsion i tretë - ai bërthamor - që është që Musk të deklarojë Twitterin të falimentuar dhe ai të mbyllet. Edhe pse tani duket se ai është ende duke e shijuar statusin e ri si “Shefi Twit”.

Lajme të ngjashme