A do ta pranojë Putini armëpushimin 30-ditor? Agjencia “Reuters” flet me disa burime ruse - NACIONALE

A do ta pranojë Putini armëpushimin 30-ditor? Agjencia “Reuters” flet me disa burime ruse

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Disa burime ruse të mërkurën reaguan me kujdes ndaj një propozimi të Shteteve të Bashkuara për 30 ditë armëpushim, i cili është mbështetur nga Ukraina, duke thënë se çfarëdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës do të duhej t’i merrte parasysh avancimet e forcave ruse dhe do të duhej t’i adresonte shqetësimet e Moskës.

Shtetet e Bashkuara u pajtuan të martën që t’i rifillonin ndihmat ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën, pasi Kievi tha se është i gatshëm për ta mbështetur propozimin për armëpushim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një burim i lartë rus i tha kësaj agjencie se presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, do t’i vinte vështirë që të pajtohej me idenë për armëpushim pa i diskutuar kushtet dhe pa marrë njëfarë garancie.

“Është vështirë për Putinin që të pajtohet me këtë (propozim) në formën e tij të tanishme” – tha burimi rus, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës. “Putini ka një pozitë të fuqishme, sepse Rusia është duke avancuar” – shtoi ai.

Burimi tha se pa garanci krahas një armëpushimi, pozicioni i Rusisë do të mund të bëhej shpejt më i dobët dhe se Rusia pastaj do të mund të fajësohej nga Perëndimi se po dështon t’i japë fund luftës.

Një burim tjetër rus tha se, nga perspektiva e Moskës, propozimi për armëpushim duket si kurth, sepse Putinit do t’i vinte vështirë ta ndalte luftën pa disa garanci ose zotime konkrete.

Një burim i tretë rus tha se tabloja e gjerë është se Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për t’i rifilluar ndihmat ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën dhe e kanë zbukuruar këtë veprim me një propozim për armëpushim.

Në dhjetor, Putini kishte thënë: “Ne s’kemi nevojë për armëpushim, kemi nevojë për një paqe afatgjate të siguruar me garanci për Federatën Ruse dhe qytetarët e saj. Është pyetje e vështirë se si të sigurohen këto garanci.”/Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme