Suedia dërgon diplomatët në Turqi për shkak të kundërshtimeve për anëtarësimin në NATO - NACIONALE

Suedia dërgon diplomatët në Turqi për shkak të kundërshtimeve për anëtarësimin në NATO

1 vit më parë

nga NACIONALE

Suedia do të dërgojë diplomatët e saj në Turqi për të tejkaluar kundërshtimet e Ankarasë ndaj planeve të saj për t'u bashkuar me NATO-n, ka thënë ministri suedez i Mbrojtjes, Peter Hultqvist.

Turqia ka thënë se nuk do të japë vlerësim pozitiv për aplikimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se "vendet skandinave janë një parajsë për organizatat terroriste".

"Ne do të dërgojmë një grup diplomatësh për të zhvilluar bisedime me Turqinë në mënyrë që të shohim nëse kjo mund të zgjidhet dhe për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë", ka thënë Hultqvist për televizionin shtetëror SVT.

Turqia u kërkon vendeve nordike të pezullojnë mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territorin e tyre dhe të heqin ndalimin e shitjes së armëve të caktuara për Turqinë.

NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë "të sigurt" se Turqia nuk do të pengojë pranimin e Finlandës dhe Suedisë.

Çdo vendim për zgjerimin e NATO-s kërkon mbështetjen e 30 anëtarëve të aleancës dhe parlamenteve të tyre, por analistët besojnë se Erdogan do të jetë nën presion për t'u dorëzuar, pasi bashkimi me Finlandën dhe Suedinë do të forconte ndjeshëm NATO-n në Detin Baltik.

Parlamenti suedez do të zhvillojë sot një debat për aplikimin për anëtarësim, i cili është thjesht një formalitet pasi tashmë ka një mbështetje të gjerë për aplikim.

Lajme të ngjashme