Shkon në 21 numri i të vrarëve në shkollën e Teksasit, mes tyre 19 fëmijë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Nëntëmbëdhjetë nxënës dhe dy të rritur kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në pjesën jugore të Teksasit.

Një sulmues 18-vjeçar hapi zjarr në Shkollën Fillore “Robb” të qytetit Uvalde para se të vritej nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët amerikanë.

Hetuesit thanë se i dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë, një pushkë gjysmë-automatike të tipit “AR-15” dhe karikatorë me kapacitet të madh. Dyshohet se adoleshenti e qëlloi gjyshen e vet në fillim të sulmit.

Mediet lokale raportojnë se ai mund të ketë qenë nxënës i shkollës së mesme në zonën ku ndodhi sulmi.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se sulmuesi, të cilin ai e identifikoi si Salvador Ramos, doli nga një veturë dhe u fut në shkollë për të hapur zjarr “në mënyrë të tmerrshme dhe të pakuptueshme”.

Njëri nga personat e vrarë ishte mësuese, të cilën mediet amerikane e kanë identifikuar si Eva Mireles. Në uebfaqen e shkollës thuhet se ajo kishte një vajzë në shkollë dhe se i pëlqenin vrapimi vrapi e ngjitja në bjeshkë.

Agjencia “Associated Press” raportoi se një zyrtar i Patrullës Kufitare të ShBA-së, i cili ndodhej afër shkollës, kur filloi sulmi, u fut në shkollë dhe e vrau sulmuesin, i cili ndodhej prapa një pengese.

Raportohet se dy agjentë kufitarë janë qëlluar gjatë ballafaqimit me sulmuesin. Zyrtarët thanë se njëri nga agjentët është qëlluar në kokë dhe se të dy janë në gjendje të qëndrueshme në spital.

Bideni flet për sulmin masiv: Është koha që këtë dhimbje ta kthejmë në vepra

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka folur pas sulmit masiv në një shkollë të Teksasit, ku u vranë 22 persona, përfshirë sulmuesin, duke thënë se është koha për të vepruar, duke iu referuar ashpërsimit të ligjeve për armëmbajtje.

“Është koha për ta kthyer këtë dhimbje në veprim. Për secilin prind, për secilin qytetar të këtij vendi. Duket ta bëjmë të qartë për secilin zyrtar të zgjedhur në këtë vend: është koha për të vepruar. Është koha për ata që i pengojnë ose i shtyjnë ose i kanë bllokuar ligjet e logjikshme për armët – na duhet t’ju tregojmë se nuk do të harrojmë”, tha ai.

“Kur u bëra president, pata shpresuar se nuk do të më duhej që ta bëja këtë, përsëri. Një masakër tjetër”, tha presidenti amerikan.

Ai e përmendi edhe përvojën e jetës së tij, pasi ka humbur bashkëshorten e parë dhe një vajzë në një aksident komunikacioni më 1972 dhe një djalë nga kanceri më 2015. “Të humbësh një fëmijë është si të të hiqet një copë shpirti”, tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme