Shefi i diplomacisë çeke: Macron ‘nuk e kupton’ agresionin rus - NACIONALE

Shefi i diplomacisë çeke: Macron ‘nuk e kupton’ agresionin rus

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, ka hedhur poshtë komentet e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili ka thënë se "Rusia nuk duhet të poshtërohet në Ukrainë".

Në Ditën e Evropës më 9 maj, Macron tha se Evropa duhet të mësojë nga gabimet e saj të së kaluarës dhe të sigurohet që asnjë palë të mos poshtërohet kur Rusia dhe Ukraina negociojnë për paqen. Komentet e tij janë vënë nën vëzhgim të ngushtë brenda dhe jashtë vendit.

“Rusia është agresor dhe ne nuk duhet të marrim parasysh nëse ajo është e poshtëruar apo jo e poshtëruar. Macron duket se nuk e kupton këtë çështje. Putinit nuk i intereson sesi vlerësohet Rusia në Perëndim,” ka thënë shefi i diplomacisë çeke për Prima TV.

Duke folur për përpjekjet për t'i dhënë fund luftës edhe me koston e lëshimeve territoriale të Ukrainës ndaj Rusisë, Lipavský tha se Ukraina duhej të përfshihej në negociatat diplomatike.

Lipavský ka rikujtuar edhe vitin 1938, kur Çekosllovakia humbi një pjesë të territorit të saj nga Gjermania naziste pas të ashtuquajturës "Marrëveshja e Mynihut" e lidhur midis Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe Francës.

“Kryesisht janë ukrainasit ata që duhet të kryejnë negociatat diplomatike. Ne duhet t'i mbajmë ukrainasit në lojë”, tha Lipavský.

Republika Çeke e merr presidencën e Këshillit të BE-së nga Franca në gjysmën e dytë të vitit 2022, me luftën ruse kundër Ukrainës që është ndër prioritetet e saj kryesore. Megjithatë, vetë presidenca nuk mund të ndikojë në negociatat me Rusinë.

Republika Çeke dëshiron që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të jetë i ftuar në samitin BE-Ukrainë në tetor.

Lajme të ngjashme