Serbia i thur lavde Erdoganit para vizitës së paralajmëruar: Ai e Vuçiqi, si Ataturku e Karagjorgjeviqi

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nemanja Staroviq, tha se vizita e presidentit turk, Rexhep Erdogan, në Beograd, është shumë e rëndësishme për Serbinë. Ai madje e krahasoi Erdoganin me ish-presidentin historik të Turqisë, Kemal Ataturk.

“Është simbolikë shumë e rëndësishme dhe është një vizitë që mezi po e presim. Marrëdhëniet personale dhe besimi i ndërtuar mes dy udhëheqësve, Aleksander Vuçiq dhe Rexhep Erdogan, janë cilësi e veçantë e raporteve mes Turqisë e Serbisë”, tha zëvendësministri serb për televizionin publik të vendit të tij.

“Presidenti Vuçiq dhe presidenti i Turqisë, Erdogan, i përfaqësojnë dy burrështetasit më të rëndësishëm të Gadishullit Ballkanik me autoritetin më të fuqishëm në kornizën më të gjerë evropiane e ndërkombëtare, ashtu siç ishin Mbreti Aleksander Karagjorgjeviq dhe Kemal Pasha Ataturku njëqind vjet më parë. Kjo është cilësi e veçantë që ekziston në marrëdhëniet tona”, shtoi ai.

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, njoftoi të enjten se presidenti turk është duke u përgatitur për një vizitë zyrtare në Serbi në javët e ardhshme, shkruan agjencia “Anadolu”, përcjell “Nacionale”.

Zëvendësministri Staroviq tha se vizita e kryediplomatit turk të enjten ishte shumë e rëndësishme dhe theksoi se është me rëndësi që të mbahet një dialog i vazhdueshëm me Turqinë.

“Është e pamundshme që të sigurohen paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe mirëqenia në Gadishullin Ballkanik pa raporte të mira dhe kuptimplota në marrëdhënien Ankara – Beograd dhe kjo përfaqëson një bazë të mirë për dialogun politik që po mbahet dhe po intensifikohet”, tha ai.

Serbia dhe Turqia kanë nënshkruar disa marrëveshje për thellimin e marrëdhënieve, përfshirë fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë.

Agjencia turke raportoi se Beogradi e ka ripohuar synimin që të blejë dronë “Bayraktar TB2” nga Turqia.

Kompania ajrore turke, “AnadoluJet”, rishtazi ka nisur fluturime Ankara – Beograd, ndërsa kompania tjetër, “Turkish Airlines”, e ka rritur numrin e fluturimeve nga Stambolli për në kryeqytetin serb në tri në ditë./Nacionale

Lajme të ngjashme