Rusia bëhet furnizuesi më i madh i naftës në Kinë, lë pas edhe Arabinë Saudite
Rusia është bërë furnizuesi më i madh i Kinës me naftë pasi vendi i shiti Pekinit naftë të papërpunuar me zbritje mes sanksioneve për luftën në Ukrainë.
Nga një vit më parë, importet e naftës ruse u rritën me 55% në një nivel rekord në muajin maj, duke lënë pas Arabinë Saudite si furnizuesi më i madh i Kinës. E pavarësisht kërkesës së zvogëluar nga Covidi dhe një ekonomi e ngadalësuar Kina ka rritur blerjet e naftës ruse.
Kujtojmë se në muajin shkurt, Kina dhe Rusia deklaruan se miqësia e tyre “nuk kishte kufij”, e pas një zbritjeje të madhe në muaj e fundit, kompanitë kineze, duke përfshirë gjigantin shtetëror të rafinimit Sinopec dhe Zhenhua Oil, kanë rritur blerjet e naftës së papërpunuar ruse.
Sipas të dhënave nga Administrata e Përgjithshme Kineze e Doganave, importet në Kinë, të cilat përfshijnë furnizimet përmes tubacionit të Oqeanit Paqësor të Siberisë Lindore dhe dërgesat nga deti, arritën në rreth 8.42 milion ton muajin e kaluar.
Kjo e zhvendosi Arabinë Saudite - dikur burimi më i madh i naftës bruto të Kinës - në vendin e dytë me 7.82 milionë tonë.
Në muajin mars, SHBA dhe Britania e Madhe thanë se do të ndalonin naftën ruse, ndërsa Bashkimi Evropian është duke punuar për t'i dhënë fund varësisë së tij nga gazi rus, në një rritje reagimi të Perëndimit ndaj pushtimit të Ukrainës.
Por, nuk është vetëm Kina që ka përfituar nga zbritjet e ofruara nga Rusia, pasi edhe India ka rritur blerjet. E kjo, së bashku me kostot e larta të naftës së papërpunuar, e ndihmoi Rusinë në fakt të rritë të ardhurat menjëherë pas pushtimit të Ukrainës.
Por tashmë të ardhurat e Rusisë nga nafta kanë filluar të zvogëlohen - dhe kjo do të intensifikohet ndërsa vendet e tjera evropiane kërkojnë burime alternative të energjisë.
Ndërkohë, Përfaqësuesi Tregtar i Ukrainës ka bërë një paralajmërim të ashpër për ata që zgjedhin të blejnë më shumë nga Rusia. Taras Kachka ka thënë për BBC-në se Moska do të "armatoste çdo gjë", do të përdorte varësinë e tyre si një mjet për të manipuluar dhe për t'i mbajtur vendet
Eksportet e energjisë janë një burim jetik i të ardhurave për Rusinë, por lëvizja ka të ngjarë të ndikojë edhe tek konsumatorët perëndimorë.
Javën e kaluar, një raport nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër tha se pavarësisht rënies së eksporteve në muajin maj, Rusia fitoi pothuajse 100 miliardë dollarë të ardhura nga eksportet e karburanteve fosile në 100 ditët e para të pushtimit të Ukrainës.
Ndërsa, 61% e këtyre importeve, me vlerë rreth 59 miliardë dollar, ishte nga Bashkimi Evropian.
Shifrat e së publikuara të hënën përveç Rusisë, treguan gjithashtu se Kina ka importuar 260,000 ton naftë bruto iraniane muajin e kaluar. Kina ka vazhduar të blejë naftën iraniane pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj Teheranit.