Rreth 500 civilë të ngujuar në fabrikën “Azot” do të mundohen të largohen

2 javë më parë

nga NACIONALE

Rreth 500 civilë, që besohet se janë ngujuar brenda fabrikës “Azot” në qytetin Severodonetsk të Ukrainës, po përgatiten që të largohen nga ky vendbanim përmes një korridori të mundshëm humanitar të mërkurën në mëngjes.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se rreth 500 civilë, përfshirë 40 fëmijë, janë duke u strehuar nga sulmet e rënda ruse në fabrikën “Azot”.

Bombardimet në këtë fabrikë janë aq të fuqishme, saqë njerëzit nuk mund të qëndrojnë më në hapësirat e strehimit dhe se gjendja e tyre psikologjike është buzë shkëmbit, sipas zyrtarit ukrainas.

Të martën vonë, Rusia u duk sikur ofroi një mundësi për evakuimin e civilëve përmes një korridori humanitar. Gjenerali Mikhail Mizintsev u duk se premtoi se civilëve do t’u lejohet dalja, nëse ushtarët ukrainas i ulin armët nga ora 8 e mëngjesit, raportoi agjencia “Interfax”.

Ukraina nuk ka komentuar ende për korridorin e mundshëm humanitar. Më parë, ky vend e ka akuzuar Rusinë për shkelje të marrëveshjeve të armëpushimit.

Të martën, autoritetet ukrainase thanë se janë duke e vazhduar evakuimin e civilëve nga Severodonetsku në çdo moment të qetë, pasi tri urat kryesore të qytetit u shkatërruan nga sulmet ruse.

Lajme të ngjashme