Britania ofron vaksina kundër Lisë së Majmunëve për meshkujt homoseksualë dhe biseksualë

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Në një përpjekje për të frenuar shpërthimin e Lisë së Majmunëve, zyrtarët britanikë të shëndetësisë kanë bërë të ditur se do të konsiderojnë vaksinimin për disa burra që janë homoseksualë ose biseksualë, duke i cilësuar si grupi në rrezikun më të lartë të infektimit me sëmundjen.

"Duke zgjeruar vaksinimin edhe për personat me rrezik më të lartë, ne shpresojmë të thyejmë zinxhirët e transmetimit dhe të ndihmojmë në kontrollin e shpërthimit," tha kreu i imunizimit të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore, Dr. Mary Ramsay.

Sipas Associated Press, më parë, këto vaksina kanë qenë të disponueshme vetëm për punonjësit shëndetësorë që kujdesen për pacientët e infektuar me Linë e Majmunëve ose për pastruesit që dezinfektojnë zonat e kontaminuara nga virusi.

Kujtojmë se, kjo vaksinë është zhvilluar fillimisht për linë, një sëmundje e lidhur me Linë e Majmunëve dhe mendohet të jetë rreth 85% efektive kundër saj.

Deri më sot, më shumë se 99% e rasteve të regjistruara me sëmundjen në Britani janë te meshkujt, dhe shumica e tyre janë te meshkujt që janë homoseksualë, biseksualë ose që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.

Megjithatë, shkencëtarët kanë paralajmëruar se kushdo që është në kontakt të ngushtë fizik me dikë të infektuar, qoftë edhe me rrobat ose çarçafët e tij është në rrezik të sëmundjes, pavarësisht orientimit seksual.

Aktualisht, nga më shumë se 2,100 raste në 42 vende në mbarë botën, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar janë të regjistruara 793. Ndërsa, përtej Afrikës që ka raportuar rreth 72 vdekje të dyshuara nga sëmundja, në vendet tjera nuk është raportuar asnjë.

Ndërkohë, javën e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus e përshkroi përhapjen e vazhdueshme të Lisë së Majmunëve në vendet që nuk e kanë pasur më parë si "të pazakontë dhe shqetësuese". Ai ka thirrur një takim ekspertësh për të vendosur nëse kërkohet shpallja e një emergjence globale - që do të thotë se Lija e Majmunëve mund të vendoset në një listë me Covid-19 dhe Poliomielitin.

Lajme të ngjashme