Pas trazirave fetare, India shkatërron shtëpitë e disa figurave myslimane - NACIONALE

Pas trazirave fetare, India shkatërron shtëpitë e disa figurave myslimane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat e sigurisë në Indi kanë shkatërruar shtëpitë e disa figurave myslimane që dyshohet se kanë lidhje me trazirat e shkaktuara nga komentet nënçmuese për profetin Muhamed.

Paraprakisht, pronarëve të pronave në shtetin, Uttar Pradesh iu ishte kërkuar që të lironin shtëpitë e tyre.

Pas komenteve anti-islamike të bëra nga dy anëtarë kryesorë të BJP-së në pushtet, njëri gjatë një debati televiziv nga zëdhënësja e partisë BJP Nupur Sharma, myslimanët dolën në protesta gjatë së cilave policia e vendit arrestoi më shumë se 300 persona.

Komentet e saj nxehën myslimanët indianë dhe zemëruan dhjetëra kombe islamike, duke çuar në protesta në disa shtete.

Por, më pas kryeministri i shtetit, Yogi Adityanath, urdhëroi prishjen e çdo objekti dhe shtëpie të paligjshme të njerëzve të akuzuar për përfshirje në trazira.

Sipas Hindustan Times, një nga shtëpitë e shkatërruara ishte edhe ajo e një politikani të quajtur Javed Ahmed, vajza e së cilit, Afreen Fatima, është një aktiviste e shquar e të drejtave myslimane.

Në shtet u shkatërruan edhe pronat e dy personave të tjerë të akuzuar për gjuajtje me gurë pas namazit të xhumasë.

Mrityunjay Kumar, këshilltari për media i Yogi Adityanath, postoi një foto të një buldozeri që shkatërron një ndërtesë duke shkruar, "mbani mend elementët e padisiplinuar, çdo e premte pasohet nga një e shtunë".

Ndërsa, kritikët thonë se komentet e Sharma pasqyrojnë polarizimin e thellë fetar që vendi ka qenë dëshmitar gjatë viteve të fundit, pasi, që nga ardhja në pushtet e partisë BJP në vitin 2014, gjuha e urrejtjes dhe sulmet kundër myslimanëve në vend janë rritur ndjeshëm.

Lajme të ngjashme