Ish-kryeministri grek 'nuk është i sigurt' se SHBA dëshiron t'i japë fund luftës në Ukrainë - NACIONALE

Ish-kryeministri grek 'nuk është i sigurt' se SHBA dëshiron t'i japë fund luftës në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Uashingtoni luan një rol vendimtar në adresimin e krizës në Ukrainë, por motivimi i tij për t'i dhënë fund luftës nuk është i qartë, ka thënë ish-kryeministri konservator, Kostas Karamanlis.

Deklarata e tij vjen mes një përplasjeje të ashpër në politikën greke mbi vendimin e partisë në pushtet Demokracia e Re (EPP) për të dërguar më shumë armë në Ukrainë pa informuar parlamentin. Grekët e mësuan lajmin nga kancelari gjerman Olaf Scholz pasi ai bëri publike marrëveshjen për shkëmbim armësh me Athinën.

Ndërkohë, Berlini pranoi se marrëveshja ishte bërë mes dy liderëve në margjinat e samitit të BE-së.

Karamanlis, kryeministër i Greqisë gajtë viteve 2004 - 2009, është ende figurë me ndikim në partinë konservatore greke. Gjatë qeverisjes së tij, ai bëri një politikë të jashtme "të ekuilibruar" midis Uashingtonit dhe Moskës, diçka që nuk u pëlqeu amerikanëve.

“Shtetet e Bashkuara me të vërtetë kanë dhënë një kontribut vendimtar, si në trajtimin e krizës ashtu edhe në mbështetjen e Ukrainës. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ata kanë motive po aq të forta për t'i dhënë fund luftës, pasi, në fakt, ata nuk i vuajnë pasojat e dhimbshme, të paktën në të njëjtën masë [me Evropën]”, tha Karamanlis, raporton Euractiv.

Karamanlis këmbënguli se përfundimi i luftës është urgjent, pasi të gjithë ata që janë përfshirë – kryesisht Ukraina – vetëm do të humbasin.

“Dhe autori [Rusia], i cili pavarësisht nga rezultati i diskutueshëm ushtarak, numëron humbje dhe dëme të mëdha”, tha ai.

Të gjitha partitë e opozitës akuzojnë kryeministrin aktual grek Kyriakos Mitsotakis se po bën politikë të jashtme në mënyrë të fshehtë pa informuar partitë e tjera politike dhe duke e angazhuar vendin në ujëra të paeksploruara kur bëhet fjalë për çështjet e jashtme.

Artikulli kryesor i faqes së lajmeve News247 të enjten kritikoi qeverinë duke thënë se “Politika e jashtme greke është në errësirë”.

Opozita reagoi pasi kancelari gjerman Olaf Scholz bëri publike një marrëveshje shkëmbimi armësh me Athinën për t'i dorëzuar armët Ukrainës pas samitit të BE-së.

Megjithatë, nuk është e qartë pse Scholz e bëri publike marrëveshjen, ndërsa Mitsotakis preferoi të mos e bënte.

I pyetur se pse grekët mësuan nga Scholz për marrëveshjen, zëdhënësi i qeverisë greke Ioannis Oikonomou tha për Skai TV se udhëheqësi gjerman e bëri njoftimin "mes një diskutimi të vazhdueshëm midis dy palëve".

Megjithatë, pala gjermane ka një qëndrim tjetër duke pretenduar se marrëveshja ishte finalizuar tashmë në takimin mes Scholz dhe Mitsotakis.

Lajme të ngjashme